Ish zyrtari komunal në Vushtrri dënohet me gjobë nga Gjykata për ngacmim seksual ndaj një qytetareje

Në gusht të vitit të kaluar, një qytetare në Vushtrri kishte raportuar një rast të ngacmimit seksual nga një zyrtar komunal.

Qytetarja e cila kishte shkuar në Komunën e Vushtrrisë që të kryente një shërbim, ishte ngacmuar seksualisht nga një zyrtar komunal.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në lidhje me zyrtarin komunal i cili dyshohej për “ngacmim seksual”, ndaj një qytetare në Vushtrri.

Prokuroria në Mitrovicë, ka konfirmuar se pas pranimit të kallëzimit penal, ndaj zyrtarit komunal është ngritur aktakuzë.

“Për personin me iniciale A. R., Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë të drejtpërdrejtë me datën 13 nëntor 2020, në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual” nga neni 183 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Mitrovicë.

Po ashtu, Prokuroria në Mitrovicë ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit, me 29 mars 20201, nga gjykata ka aktgjykim me urdhër ndëshkimor, me dënim me gjobë në shumë prej 400 euro.

Komuna e Vushtrrisë e ka konfirmuar për KALLXO.com se kur është raportuar rasti nga ana e qytetares, ndaj zyrtarit komunal janë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme, duke i ndërprerë kontratën e punës.

I njëjti pas këtij rasti, nuk është zyrtar komunal në Komunën e Vushtrrisë.

Policia në Rajonin e Mitrovicës, ka bërë të ditur se pas raportimit të rastit, ndaj zyrtarit komunal ishte ushtruar kallëzim penal.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se rasti është raportuar me datë 27 gusht 2020, në Vushtrri, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut. Pas hetimeve të zhvilluara ndaj të dyshuarit A. R., është ngritur kallëzim penal për veprën penale “Ngacmim seksual””, thuhet në përgjigjen e Policisë në Mitrovicë.

Policia ka bërë të ditur se pas ushtrimit të kallëzimit penal, rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me datë 27 tetor 2020.