Pamje brenda ndërtesës së FBI-së në Uashington

Ish-zyrtari i lartë i FBI-së po hetohet për lidhje me Rusinë, përmenden edhe Shqipëria e Kosova

Një ish-agjent i nivelit të lartë të FBI-së, i cili ishte i përfshirë në hetimin e fushatës së Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, është vënë vetë nën vëzhgimin e prokurorëve federalë për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveritë e tjera të huaja, mes tjerash edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në fund të vitit të kaluar, sipas dokumenteve të brendshme të gjykatës të siguruara nga media amerikane Insider, avokatët amerikanë mblodhën fshehurazi një juri që e ka shqyrtuar sjelljen e Charles McGonigal, ish-shefit të kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentonte se çfarë po hetonte juria ose nëse ajo është në proces e sipër. Mirëpo, një dokument i siguruar nga Insider duket se tregon se qeveria, pjesërisht, po i shqyrton marrëdhëniet e biznesit të McGonigal me një ndihmës të lartë të Oleg Deripaska, oligarku miliarder rus, i cili ishte në qendër të akuzave se Rusia ka bashkëpunuar me fushatën e Trump për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Një ftesë dërguar dëshmitarit e lëshuar në nëntor, kërkon të dhëna në lidhje me McGonigal dhe një firmë konsulente e quajtur Spectrum Risk Solutions. Një javë pas lëshimit të këtij dokumenti, një emigrant me origjinë sovjetike i quajtur Sergey Shestakov ka deklaruar në një dosje të veçantë se McGonigal e kishte ndihmuar atë t’i “lehtësonte” një njohje midis Spectrum dhe ndihmësit të Deripaska. Në dosje thuhet gjithashtu se McGonigal ndihmoi në njohjen e ndihmësit me Kobre & Kim, një kompani ligjore në New York që është e specializuar në përfaqësimin e klientëve që po hetohen me dyshimin për “mashtrim dhe sjellje të pahijshme”. Shestakov, i cili është identifikuar në panelet televizive si një ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme sovjetike dhe ish-shefi i shtabit të ambasadorit sovjetik në Kombet e Bashkuara, raportoi se kishte marrë 33,000 dollarë për referimet e bëra.

As McGonigal e as ata me të cilët ai përmendet se kanë të bëjnë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Insider. “Kjo nuk është një zonë ku ne mund të japim një deklaratë në këtë moment” – tha një përfaqësues për Kobre & Kim.

Sipas ftesës dërguar dëshmitarit, prokurorët po shqyrtojnë gjithashtu nëse McGonigal ka lidhje me qeverinë e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe ndonjë “pagesë apo dhuratë” që i është dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Dy burime i kanë thënë Insider se McGonigal ishte i afërt me Edi Ramën, i cili është kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013. Sipas një e-maili të rishikuar nga Insider, McGonigal e përdori llogarinë e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një kompanie amerikane që kryeministri po mendonte ta angazhonte për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe nuk u zhvillua asnjëherë.

Një përfaqësues i kryeministrit Rama ka deklaruar se marrëdhënia e kryeministrit me McGonigal ishte “një marrëdhënie miqësore tërësisht private pa interes publik. Ne nuk kemi asnjë ide për ndonjë juri të madhe dhe asnjë autoritet amerikan nuk na ka kontaktuar ndonjëherë për këtë. Nuk ka pasur kurrë takime me kompani. Nuk ka pasur dhurata, rimbursime të udhëtimit para ose pasi zoti McGonigal të largohej nga puna.”

Profili i McGonigal në LinkedIn thotë se ai është nënkryetari i lartë i “sigurisë globale dhe sigurisë së jetës” në Brookfield Properties, një kompani multi miliarda dollarëshe e pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Por ky informacion, me sa duket, është i pasaktë. “Charlie McGonigal nuk është më me Brookfield”, ka deklaruar AndrewBrent, shefi i komunikimit i Brookfield, për Insider. McGonigal u largua nga kompania, shtoi ai, në fillim të janarit – pikërisht kur dëshmitarët ishin planifikuar të dilnin përballë jurisë së madhe./Insider

Mattathias Schwartz është në korrespondent i lartë në Insider.