Ilustrim

Ish-zyrtari i Bankës Ekonomike ballafaqohet me deklaratën e dëshmitarit

Raif Rexhepi, ish-zyrtar i Bankës Ekonomike, në Gjykatën e Prishtinës, është paraqitur edhe njëherë si i akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

Në këtë seancë, është dëgjuar dëshmitari, Habib Usaj, i cili në kohën për të cilën Rexhepi po akuzohej, kishte punuar si ekonomist i kompanisë “QMI”, drejtor i së cilës në atë kohë ka qenë Aziz Tafaj.

Dëshmitari ka pranuar që ka pasur autorizim për kryerjen e transaksioneve bankare dhe me para të gatshme të kompanisë ku ka punuar dhe të akuzuarin Rexhepi i ka transferuar 2,400,000 euro në emër të një kontrate për shitblerjen e një prone në Shëngjin.

Ndërsa, sa i përket blerjes së aksioneve, i njëjti deklaroi se për herë të parë ishte njoftuar kur kishte dëshmuar në hetuesi të krimeve ekonomike.

“Për herë të parë çështjen e aksioneve e kam dëgjuar kur kam dhënë dëshmi në krime ekonomike në policinë e Kosovës, ku polici më tha se këto mjete kanë shkuar për blerje të aksioneve”, tha dëshmitari Usaj.

Avdi Dinaj, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Raif Rexhepi, propozoi gjykatën për dëgjimin e një dëshmitari tjetër, propozim të cilin gjyqtari i rastit, Agim Kuçi e aprovoi.

Prokuroria, e akuzon Rexhepin se nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, i ka shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarit, shtetasit italian, Savino Tesoron.

Sipas aktakuzës, marrëveshja Rexhepi me Tesoron nënkuptonte se Aziz Tafaj përmes transaksioneve bankare duhej t’i kishte dhënë shumën prej 2,400,000 eurove Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave t’i blej aksionet dhe t’i bartë në emër të Tesoros, nuk e kishte bërë këtë duke mos e përmbushur marrëveshjen e duke i shkaktuar dëm Tesoros dhe keqpërdoruar detyrën zyrtare.

Bashkë me Rexhepin, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe ish-drejtori i Bankës Ekonomike, Valon Lluka, por i njëjti , nga Gjykata e Prishtinës është shpallur i pafajshëm, në mungesë të provave.

Rexhepi lidhur më akuzat kundër tij ishte shpallur fajtorë nga Gjykata në Prishtinë, e cila ndaj tij kishte shqiptuar dënim prej dy vjet burgim me kusht.

Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësit, Apeli çështjen e ka kthyer në rigjykim.