Foto: KALLXO.com

Ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe dy investitorët kundërshtojnë akuzat për dëmtim dhe uzurpim të pronës së teqesë Melami

Ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit: Islam Thaçi, Fatmir Memaj, Refki Muzbeg, Enver Bytyqi, Krenare Koçi, si dhe dy investitorët  Agron dhe Valbon Kastrati gjatë së enjtes i kanë kundërshtuar akuzat e Prokurorisë së Prizrenit lidhur me rastin e teqesë Melami.

Pesë të akuzuarit e parë në cilësinë e personave zyrtarë po gjykohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i  detyrës zyrtare, kurse dy vëllezërit Kastrati Prokuroria po i ngarkon për uzurpim, shkatërrim  dhe dëmtim të objektit të mbrojtur – teqesë Melami.

Ish-drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Islam Thaçi, në seancën ku ishte paraparë që të paraqitej kundërshtimi i aktakuzës tha se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.

Ish-drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, Fatmir Memaj, si dhe Arben Shala, mbrojtës i të akuzuarit Refki Muzbeg, konsideruan se në këtë rast Drejtoria kishte lëshuar lejet konform ligjit.

Kurse, ish-inspektori i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion, Enver Bytyqi, theksoi se ai nuk ishte përgjegjës pasi vetëm në dhjetor të vitit 2018 i ishte caktuar për mbikëqyrje ai terren.

Agron Karatash, mbrojtës i ish-shefes së kabinetit të ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Krenare Koçi, tha se akuza ishte ngritur në kundërshtim me ligjin pasi dispozitat kërkojnë moskryerjen e detyrave me dashje.

Kërkesë për hedhje të aktakuzës ka bërë edhe Labinot Murati, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Kastrati, duke vlerësuar se akuza ishte ngritur 3 ditë pas afatit ligjor. Ai deklaroi se kjo çështje ishte e natyrës civile dhe nuk ka të bëjë asgjë me penale.

“Në rastin konkret mendoj se ka lëvizje të vijave kadastrale për shkak se objekti i teqesë Melami në një sipërfaqe 8m2 është i ndërtuar në pronën e Valbon Kastratit. Pra, nëse këta kanë uzurpuar pronë, atëherë edhe teqeja ka uzurpuar”, shtoi avokati Murati.

Të njëjtin mendim pati edhe Shkelzen Feka, mbrojtës i të akuzuarit Valbon Kastrati.

Mirëpo, me këto pretendim nuk është pajtuar Prokuroria, duke thënë se të gjitha provat në aktakuzë janë mbështetur në dispozita ligjore.

Prokurorja Ervehe Gashi i propozoi Gjykatës që kërkesat për hedhjen e aktakuzës, kundërshtimet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre të mos i aprovojë, por të vazhdojë me mbajtjen e shqyrtimit kryesor.

Ndaj kundërshtimeve të bëra Gjykata pritet të vendosë ditëve në vijim.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të akuzuarit në cilësi të personave zyrtarë, Islam Thaçi në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor, Refki Muzbeg në cilësi të bashkëpunëtorit profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor, Enver Bytyqi si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion dhe Krenare Koqi në cilësi të shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.

Aktakuza përshkruan se në kundërshtim me Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor, Ligjin për qendrën historike të Prizrenit, si dhe në kundërshtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale, zyrtarët e Komunës formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron dhe Valbon Kastrati.

Tutje thuhet se shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 3 dhjetor 2018, ndërprenë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj teqeja Melami, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për qendrën historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.

Prokuroria më tej pretendon se zyrtarët e kësaj Komune kanë lejuar bashkimin e parcelave kadastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati u kanë mundësuar përfitim 525.42 m2 në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere jashtë lejeve hoteliere.

Njëkohësisht kanë lejuar që këta investitorë të uzurpojnë 9 m2 nga parcela kadastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria – Teqe Melami, duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

Kështu, sipas Prokurorisë të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën prej 2,201 euro në emër të taksave të papaguara dhe 3,150 euro për uzurpimin e pronës.

Me këto veprime të akuzuarit e lartcekur, në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të përfshirë në aktakuzë janë edhe të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati, të cilët më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar.

Organi i akuzës ka përshkruar se derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës.

Në pikën tjetër të aktakuzës thuhet se Agron dhe Valbon Kastrati nga data 8 maj 2018 e në vazhdim, në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria – Teqeja Melami, e që konsiderohet  tokë ndërtimore, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.