Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimim e pandemisë. Dëshmitar: Izet Sadiku, ish zëvendës ministër i Shëndetësisë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-Zëvendësministri i Shëndetësisë rrëfen kur u informua për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut

Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19 është duke e dëgjuar rrëfimin e ish-Zëvendësministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, për menaxhimin e situatës së pandemisë nga Qeveria e Kosovës.

Ish ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i cili ka koordinuar karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ka bërë të ditur se informatën për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut, i cili vdiq gjatë qëndrimit në karantinë më 3 maj të këtij viti, e ka marrë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Unë informatën e kam marrë prej zyrtarëve të komunës (Gjilanit). Më datën 3 maj, në ora 03:55 më ka thirrë kryetari i Gjilanit, se është një qytetar që është vendosë në karantinë dhe ka shqetësime psikologjike. Unë në 03:59 e kam thirrë menaxherin, e kam njoftu menaxherin Valdet Hashani”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa, Valdet Hashani ish menaxher i Qendrës së karantinës, para komisionit dje ka dëshmuar se ish ministri i Shëndetësisë e kishte njoftuat atë se Agon Musliu kishte nevojë për psikolog/psikiatër.

“Më lejoni të ju parafrazoj që më ka thënë që Agon Musliu ka nevojë për psikolog/psikiatër”, ka thënë ai.

Agon Musliu ka vdekur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë pas kthimit nga Gjermania, kur kjo qendër ishte shndërruar në karantinë për shkak të coronavirusit. Rasti i vdekjes së tij nuk është bardhur ende.

Pas ankesave nga qytetarët, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte marrë vendim që ta emërojnë ish zëvendës ministrin Izet Sadikun si menaxher të karantinës.

“Pas disa ankesave që i kemi marrë sot për kushtet në Qendrën e Studentëve, kemi caktuar zëvendësministrin Izet Sadikun për menaxhimin e kësaj karantine, dhe besoj se me menaxhimin nga ana e tij kushtet do të përmirësohet dhe qytetarët që janë brenda do të kenë ku t’i adresojnë problemet”, kishte bëri të ditur Vitia.

Zëvendësministri Izet Sadiku do ta menaxhojë qendrën e karantinës

Babai i Agon Musliut rrëfen para deputetëve si u dërgua djali i tij në karantinë (VIDEO)