Ish-zëvendësministri i Kulturës thotë se nga mediat e kuptoi ngritjen e aktakuzës ndaj tij

Ish-zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Engelbert Zefaj, ka reaguar sot ndaj lajmeve se është ngritur aktakuzë ndaj tij për mosdeklarim të pasurisë.

I kontaktuar nga KALLXO.com Zefaj tha se për këtë aktakuzë është njoftuar prej mediave. “E mora vesh nga mediet”, tha shkurt ai.

Kurse në Facebook ka shkruar se e ka raportuar pasurinë, por me disa ditë vonesë.

“E vёrteta: E kam raportu pasurinё por me disa ditё vonesё. Kam raportu pasi qё AKK ma ka rikujtu! Arsyeja: Harresa ka ndodhur sepse e kam pёrfunduar mandatin e zv.ministrit nё muajin Mars, pikёrisht nё muajin kur edhe duhet tё raportohet pasuria. Sqarim: Nё raportimin e pasurisё qё e kam ba nuk ka asnjё rritje tё pasurisё, bile vetёm ёshtё zvogluar. Kjo tregon se nuk kam pasur asnjё arsye me fsheh pasurinё”, ka shkruar ai.

“Pёrfundim: Disi po tingёllon si ndonjё krim i kryer nga ana ime, nё fakt ёshtё fjala vetёm se jam vonu me raportu pasurinё time nё afatin e caktuar”, tha më tej Zefaj.

Në media është raportuar se Gjykata e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Zefajt për mosdeklarim të pasurisë.

Zefaj ka qenë zëvendësministër në Qeverinë Hoti.