Ish zëvendës ministri i AAK-së Naim Qelaj mbetet kandidati i vetëm për Avokat të Popullit

Naim Qelaj ka mbetur kandidati i vetëm për pozitën e Avokatit të Popullit.

Kjo pasi që Kuvendi i Kosovës në dy raundet e para ka dështuar të votojë Avokatin e Popullit.

Naim Qelaj në qeverisjen Haradinaj ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, kurse ka qenë edhe i koordinator nacional për mbrojtje nga dhuna në familje.

Naim Qelaj ndryshe njihet si avokati i cili për vite të tëra e kishte përfaqësuar Shyhrete Berishën nga Suhareka.

Kujtojmë që Shyhrete Berisha, familja e së cilës  ishte vrarë gjatë kohës së luftës nga forcat paramilitare serbe kishte paditur familjen e burrit për ta realizuar të drejtën e saj në trashëgiminë e burrit të saj të ndjerë.

Në raundin e parë të votimit nga 96 deputetë që kanë votuar për Avokatin e Popullit, 27 fletë votime kanë qenë të pavlefshme.

Edona Hajrullahu që sipas vlerësimit të Komisionit intervistues ka qenë kandidatja më e poentuar, ka marrë 17 vota, dhe është eliminuar nga gara.

Kurse dy kandidatë që në raundin e parë kanë marrë më së shumti vota Naim Qelaj, 29 vota, dhe Xhavit Shala ka marrë 23 vota, kanë garuar në raundin e dytë të votimit.

Në raundin e dytë të votimeve nga 66 deputetë që kanë votuar, Naim Qelaj ka marrë 32 vota kurse Xhavit Shala 22 vota, ndërsa 12 fletë votime kanë qenë të pavlefshme.

Raundi i tertë i votimi ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, ndërsa votimi do të vazhdon ditën e hënë.

Për zgjedhjen e avokatit të popullit votohet lista e ngushtë prej 3 kandidatëve, që Kuvendi ti propozohet nga  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, pas një konkursi publik.

Nëse në rrethin e parë asnjëri nga kandidatët nuk e fiton shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dy (2) kandidatët që fitojnë më së shumti vota, i nënshtrohen rrethit të dytë të votimit.

Nëse as në rrethin e dytë nuk zgjedhet Avokati i Popullit, kandidati me numrin më të madh të votave nga rrethi i dytë, si kandidat i vetëm i nënshtrohet rrethit të tretë të votimit

Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit nëse avokati i Popullit nuk zgjedhet në seancën e parë, atëherë Kuvendi i Kosovës voton për Avokatin e Popullit në seancën plenare të radhës brenda 30 ditëve.

Por në seancën e ardhshme për zgjedhjen e Avokatit të Popullit deputetët do të votojnë për kandidatë tjerë që kanë plotësuar kushtet e konkursit, duke përjashtuar kandidatët e propozuar nga komisioni përkatës për të cilët është votuar në seancën e parë

Naim Qelaj me profesion është avokat, dhe për një periudhë të gjatë këtë profesion e ka ushtruar në Prizren, deri në emërimin e tij si zëvendësministër i Drejtësisë.