Ish zëdhënësi i Qeverisë Kurti mohon se zyra e zëvendëskryeministrit ishte pa simbolet shtetërore

Ish zëdhënësi i Qeverisë së Albin Kurtit, Përparim Kryeziu, ka mohuar ‘akuzat’ e zëvendëskryeministres aktuale, Albulena Balaj- Halimaj, e cila në seancën e sotme të Kuvendit tha se e ka gjetur zyren e saj pa simbole shtetërore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu, ka thënë se zyrja në fjalë është përdorur për takime të tjera pune.

“Kjo zyre është përdorë nga kabineti i kryeministrit Kurti dhe zv.kryeministrit Abazi per takime tjera pune. Pritja e delegacioneve nga Abazi është bërë në zyrën e pritjeve të zv/kryeministrit e cila është e rregulluar sipas protokollit shtetëror”, ka thënë Kryeziu.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment prej zëvendëskryeministres Balaj-Halimaj, por ajo ka qenë e paqasshme.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj, ka deklaruar se në zyrën e saj në qeveri nuk i ka gjetur simbolet e shtetit të Kosovës

“Kur kam hyrë në zyrën time atje në Qeveri nuk ka pasur flamur askund, as Deklaartë të Pavarësisë, sepse ato dikush i ka hequr. Për të mos bërë shpenzime, ne po presim nga administrata që t’i plotësojë ato. Dikush i ka hequr këto nga zyret”, tha ajo.

Pas kësaj reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se kjo deklaratë është shqetësuese, duke kërkuar nga Balaj-Halimaj që të tregojë se a ka ndodhur kjo në zyrën e ish-zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, apo të Haki Abazit.