Gjykata Speciale në Beograd. Foto: Beta/AP/Darko Vojinovic.

Ish-ushtari serb del në gjyq për vrasje në fshatrat e Pejës

Predrag Vukoviq, një ish-anëtar i Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave, e cila dyshohet se mori pjesë në krime lufte në katër fshatra në Kosovë në maj 1999, doli në gjyq për herë të parë në Beograd.

 

Ish-ushtari Predrag Vukoviq, i njohur ndryshe si Madzo, i cili u arrestua në Mal të Zi vitin e kaluar, doli për herë të parë në Gjykatën e Lartë të Beogradit të premten në gjyqin e ish-ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte në Kosovë në maj 1999.

Sipas aktakuzës, anëtarët e Njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave hynë në fshatin Zahaq dhe fshatrat fqinje Qyshk, Pavlan dhe Ljubeniq më 14 maj 1999, duke vrarë të paktën 118 shqiptarë etnikë dhe duke detyruar pjesën tjetër të largohej nga Kosova për në Shqipëri.

Njëri prej tyre ishte Vukoviqi, emri i të cilit më parë nuk ishte përfshirë në aktakuzë, por aktakuza e ndryshuar që e akuzonte atë u lexua në gjykatë të premten.

Vukoviq akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen dhe plagosjen e civilëve shqiptarë etnikë dhe djegien e shtëpive të tyre në fshatrat Ljubeniq dhe Qyshk.

Ai aktualisht është në burg në Sremska Mitrovica në Serbi, ku po vuan dënimin për një krim tjetër.

Vukoviq u arrestua në korrik 2018 në Mal të Zi, fillimisht për peshkim të paligjshëm, ku dha një emër të rremë.

Megjithatë, pas kontrolleve të sigurisë, policia përcaktoi identitetin e tij të vërtetë dhe autoritetet malazeze zbuluan se ai ishte në kërkim në Serbi për krime të shumta.

Ish-ushtarët në gjyq fillimisht u dënuan në vitin 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata e apelit në Serbi e rrëzoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

BIRN hetoi vrasjet në dokumentarin e tij “Të paidentifikuarit”, i cili zbuloi shkallën e krimeve të kryera në katër fshatrat e Kosovës në vitin 1999, ndërsa zbuloi edhe strukturën komanduese të policisë dhe njësive të ushtrisë që ishin të përfshira.