Ish-udhëheqësi artistik i Ansamblit ‘Shota’ thotë se pas skadimit të kontratës vetëm ka ndihmuar vullnetarisht në përgatitje të koncetrit

Edhe pse i skadoi kontrata e punës gati një muaj më parë, ish-Udhëheqësit Artistik (UA) i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota, Ylber Asllanaj e ka vazhduar punës me ansamblin.

Kontrata e punës si Udhëheqës Artistik në “Shotë”, Asllanajt i ka skaduar më 9 mars 2022.

Por, ish-UA i Ansamblit “Shota”, që ka konkurruar për t`u rizgjedhur në këtë post, ka mohuar që ka vazhduar punën në ansambël, pas skadimit të kontratës së punës.

Asllanaj ka thënë për KALLXO.com se ka dalë dy – tri herë në “Shotë” për t’i ndihmuar ushtruesit të detyrës së UA-së për përgatitjen e koncertit që pritet të mbahet.

“Nuk kam vazhduar punë në ansambël. Kam shkuar dy – tri herë në konsultime për shkak se deri në atë periudhë (në skadimin e kontratës së punës) kam qenë i angazhuar në përgatitjen e programit të koncertit që pritet të mbahet në ditët e ardhshme, edhe këtë në cilësinë e konsulentit, pa asnjë pagesë”, ka thënë ai.

Edhe Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit “Shota” ka thënë për KALLXO.com se Asllanaj është angazhuar për t’i ndihmuar ushtruesit të detyrës së UA-së në përgatitje e koncertit të radhës, dedikuar doajenëve të ansamblit.

“Me përgjegjësi morale dhe penale deklaroi se roli i Asllanajt në këtë ‘angazhim’ ka qenë vetëm konsulent kolegial, si njohës i punës dhe meqenëse ka bërë përgatitjet paraprake për këtë koncert, deri në skadim të kontratës se tij”, është shprehur Gjocaj.

Ndërsa, MKRS në një përgjigje për KALLXO.com thotë se kontrata e marrëdhënies së punës Asllanaj me “Shotën” i ka skaduar më 09.03.2022. “Nga kjo datë i është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe paga. Sipas vendimit të zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, Bislim Bislimi, Fitim Bytyqi është caktuar që ta ushtrojë pozitën e UA-së (në Shotë) deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e MKRS.

Ansambli “Shota” është në procedurë të rekrutimit të Udhëheqësit Artistik. Deri më tani këtë pozitë e ka mbajtur Ylber Asllanaj.