Ish-shefi i spiunëve, Grenell-i, i gëzohet serbit të fortë pro-rus

Më herët gjatë këtij muaji, një tjetër ndjekës i Donald Trump-it në Evropën Jugore e mbështet e i gëzohet një diktatori potencial i cili ka rënë në orbitën e Moskës, Aleksandar Vuçiq-it të Serbisë, shkruan Jeff Stein për revistën SpyTalk.

Richard Grenell, ish-ambasadori i Trump-it në Gjermani, dhe për një kohë të shkurtër, ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, kohë më parë ka marrë anën e presidentit serb në rezistencën ndaj planit të paqes i cili do ta njihte sovranitetin e Kosovës.

Mbështetja e Grenellit ishte aq e zhurmshme sa që më 2020, kur ishte emisar special i Trump-it në Ballkan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi atë për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në rënien e qeverisjes së tij. Grenell-i, sipas Kurtit, “i kishte bërë presion” partnerit të tij qeverisës për t’u tërhequr nga qeveria atëherë kur Kruti kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje për paqe e cila favorizonte Serbinë me shkëmbim të territoreve.

Një studiues i Ballknait, Edward P. Joseph, tha se Grenell-i “i rrotulloi dinamikat e negocimit në favor të palës me mungesë fleksibiliteti, në favor të Beogradit”.

Tash e tetë muaj jashtë detyrës, Grenell-i mbetet i afërt me zyrtarët serbë, gjë që ngrit pikëpyetje mbi planet e tij të ardhshme. Ai po e mbështet Serbinë, së bashku me disa nacionalistë të së djathtës ekstreme në Evropë, për ta formuar një aleancë ekstremiste transatlantike e cila do ta kthente Trump-in në Shtëpinë e Bardhë si drejtues i një rendi të ri botëror?

Përjashtuar gjatë administratës katër vjeçare të Trump-it, Vuçiq-i ka qenë në sy të keq të Washington-it për një kohë të gjatë. Më 2015-tën, pesë anëtarë të Kongresit protestuan kundër vizitës së tij në Washington.

“Është afërmendsh që Grenell-i është duke krijuar raporte me një figurë pro-ruse dhe anti-amerikane si Vuçiq-i”, thotë zyrtari i pensionuar nga CIA, John Sipher, i cili edhe ishte shef i zyrës në Serbi.

“Gjithmonë e kemi ditur se Grenelli kurrë në të vërtetë nuk i ka marrë parasysh parimet apo interesat e Shteteve të Bashkuara, madje do të thoshte e bënte çfarëdo për ta mbështetur mendimin e tij apo të Trump-it”.

Presidenti serb vazhdon t’i gëzohet Millosheviqit. Në një fjalim drejtuar serbëve të Kosovës më 2018, Vuçiq-i e lavdëroi atë si një lider “të madh, duke nxitur kështu reagime në të gjithë Ballkanin. Pa dyshim, kjo është ajo çfarë Trump-it dhe ndjekësve të tij u pëlqen për të.

Vitin e kaluar, organizata “Serbët për Trump-in” e cila i kishte gostitur Grenell-in dhe ish-gjeneralin Michael Flynn, lajmëroi shndërrimin e saj në një komitet politik.

“Grenell-i ishte i përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjet e “Serbëve për Trump-in”, tha një ish-diplomat i Ballkanik i cili kërkoi të mos identifikohet për shkak të reagimeve të agjentëve të Vuçiq-it ndaj tij.

“Ai mbante fjalime, vinte nëpër ngjarje dhe pati mundësinë t’i bindë një mori serbo-amerikanësh që ta votojnë Trump-in në zgjedhjet e fundit”.

Tutje, jashtë orbitës së Trump-it, anësimi i dukshëm i Vuçiq-it përkrah Rusisë dhe Kinës është shqetësues për Washington-in, gjë që e inkurajoi administratën Obama të mundohet ta largojë Serbinë nga lidhjet me Moskën, mirëpo, Vuçiq-i nuk ka ndërruar qëndrim. Pas arrestimit të kreut opozitar rus, Alexei Navalny, më herët gjatë këtij viti, të gjitha shtetet e Ballkanit përveç Serbisë i përkrahën sanksionet e Evropës drejtuar Rusisë.

Për të lexuar artikullin e plotë, klikoni këtu.

Përkthyer nga Vesa Ferizi