Barrikada në Rudarë - Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Ish-shefi i Operativës së Policisë: Nëse hiqen barrikadat do të na ndjekin si gjahu ndaj lepujve

Në takimin e presidentit të Serbisë me serbët e Kosovës, që po zhvillohet aktualisht me dyer të mbyllura në Rashkë, ish-shefi i Operativës i Drejtorisë Mitrovica Veri të Policisë së Kosovës, Aleksandar Filipoviq, ka thënë se nëse hiqen barrikadat në rrugët në veri të Kosovës atëherë organizatorët e barrikadave do të ndiqen si lepujt nga gjahtarët nga Policia e Kosovës.

“Nuk ka jetë për serbët nëse hiqen barrikadat. Do të na gjuajnë si lepujt… Na kanë nënçmuar non-stop, policët shqiptarë, ndërsa ambasadorët nuk na kanë dëgjuar” – ka thënë Filipoviq në takimin ku po marrin pjesë presidenti serb, shefi i Shtabit të Ushtrisë, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“I kuptoj shqetësimet e juaja, bëj përpjeke të ju kuptoj. Çka fitojmë nëse qëndrojmë në barrikada ?” – ka pyetur presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se nuk do të ketë ndjekje ndaj organizatorëve të barrikadave si gjahu ndaj lepujve.

“Thua do të bëjnë gjah si ndaj lepujve. Jo nuk do të bëjnë, sepse lepujt bëhen ujq“ – ka shtuar ai.

Pasi në sallë kanë ardhur “njerëzit e barrikadave”, takimi është mbyllur për media dhe publikun.