Foto: Pixabay

Ish-Shefi i Google druan se AI mund të përdoret prej terroristëve

Ish-Shefi Ekzekutiv i gjigantit Google është i shqetësuar se Inteligjenca Artificiale mund të përdoret prej terroristëve ose “shteteve kryeneçe” për të “lënduar njerëz të pafajshëm” – raporton të enjten, më 13.02.2025, televizioni britanik BBC.

“Frikërat e vërteta që kam nuk janë aso që i kanë shumica e njerëzve që flasin për Inteligjencën Artificiale. Unë po flas për rrezikun ekstrem.” – ka deklaruar Eric Schmidt për BBC-në.

Miliarderi i teknologjisë, i cili kishte mbajtur poste të ndryshme të larta në Google nga viti 2001 deri më 2017, ka thënë për programin televiziv Today se: “Koreja Veriore, ose Irani, madje edhe Rusia” mund të përshtatin ose shpërdorin teknologjinë për të krijuar armë biologjike.

Ai ka bërë thirrje që Qeveritë t’i mbikëqyrin Kompanitë private të teknologjisë, të cilat po zhvillojnë modele të Inteligjencës Artificiale, por ka paralajmëruar se rregullimi i tepruar mund t’ia ndalë hovin inovacionit.

Schmidt është pajtuar me kontrollet amerikane të eksportit për mikroçipat e fuqishëm, që mundësojnë shumicën e Sistemeve të Inteligjencës Artificiale.

Para se të përfundonte mandatin ish-presidenti amerikan, Joe Biden kishte kufizuar eksportimin e mikroçipave për shumë shtete – përjashto 18 sosh – me qëllim që të ngadalësohet përparimi i kërkimit të shteteve armike në fushën e Inteligjencës Artificiale.

 

Ndalimi i celularëve për fëmijët

Schmidt ishte kreu i Google kur Kompania bleu Androidin – Kompania e cila tani prodhon Sistemin Operativ të telefonave celularë më të përdorur në botë.

Ai tani mbështet nismat për të mos lejuar celularët në shkolla.

“Unë jam një nga njerëzit që nuk e kuptova dhe do të marrë përgjegjësinë që bota nuk funksionon në mënyrë të përsosur, ashtu siç mendojmë ne njerëzit e teknologjisë.” – ka deklaruar ai.

“Për mua situata me fëmijët është veçanërisht shqetësuese.”

“Unë mendoj se celularët inteligjentë për fëmijë mund të jenë të sigurt” – ka theksuar ai – “ata thjesht duhet të jenë të moderuar… ne të gjithë mund të biem dakord që fëmijët duhet të mbrohen nga e keqja e botës në internet”.

Në mediat sociale – ku ai ka mbështetur propozimet për ndalimin e celularëve për fëmijë nën 16 vjeç – ai shtoi: “Pse do të bënim një eksperiment kaq të madh dhe të pakontrolluar mbi njerëzit më të rëndësishëm në botë, që është brezi i ardhshëm?”

Aktivistët për kufizimin e përdorimit të smartfonëve për fëmijë argumentojnë se celularët krijojnë varësi dhe “i kanë joshur fëmijët larg aktiviteteve që janë të domosdoshme për një zhvillim të shëndetshëm”.

Parlamenti i Australisë miratoi Ligjin për Ndalimin e Përdorimit të Mediave Sociale për Fëmijët nën 16 vjeç, në vitin 2024. Kryeministri Anthony Albanese deklaroi se ishte e rëndësishme të mbrohen fëmijët nga “dëmtimet” e celularëve.

Një studim i fundit i botuar në revistën mjekësore The Lancet sugjeroi se ndalimi i telefonave celularë në shkolla nuk përmirëson sjelljen apo notat e nxënësve.

Por, spikati se kalimi i kohës së gjatë në telefona inteligjentë dhe media sociale në përgjithësi lidhet me rezultate më të këqija për të gjitha këto masa.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com