Ish-shefi i AKI-së, kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tij
Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur gjykimi kundër Driton Gashi ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Valon Krasniqi zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani zyrtar policor, të cilët po akuzohen për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq.
Në këtë seancë, të akuzuarit kundërshtuan provat dhe bënë kërkesë për hedhje të aktakuzës, të cilën e kishin dorëzuar me shkrimi pranë Gjykatës.
Pretendimet e Driton Gashit dhe avokatit të tij në lidhje me akuzat që e rëndojnë ishin se veprimet e ish-shefit të AKI-së, nuk paraqesin veprime të kundërligjshme, pra sipas tij nuk është kryer asnjë vepër penale, duke shtuar gjithashtu se ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë e tij penale.
Ndërsa, mbrojtësi i Rraham Sylejmanit, avokati Flakron Sylejmani, provat e siguruara nga Prokuroria Speciale i quajti si të parëndësishme dhe se të njëjtat nuk provojnë asnjë element të veprës penale.
“Në këtë aktakuzë nuk përshkruhet se çka arsyetojnë ato prova sepse janë të parëndësishme dhe nuk provojnë asnjë element të veprës penale”, tha Flakron Sylejmani.
Më tutje i njëjti quajti paradoksale kohën e inicimit të hetimeve dhe zgjerimit të hetimeve.
Prokuroja e rastit, Habibe Salihi, në anën tjetër, i kundërshtoi këto pretendime të mbrojtjes duke thënë se të njëjtat nuk qëndrojnë.
“Prokuroria Speciale konsideron se pretendimi i të akuzuarit se vepra nuk përben vepër penale nuk qëndron, po ashtu nuk ekziston asnjë rrethanë që e përjashton përgjegjësinë e tij penale, aktakuza ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin”, tha prokurorja Salihi.
Gjykata për këto kërkesa të palëve do të vendosë jashtë seancës dhe të njëjtit për këtë do të njoftohen në vazhdim.
Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi.
Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.
Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.
Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir. Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.
Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe i pandehuri Rrahman Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.
Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.
Nis seanca ndaj personave që dyshohet se kishin dorë në deportimin e shtetasve turq