Ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit dyshohet se lëshoi leje mjedisore dhe mori ryshfet

Ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku, është arrestuar gjatë ditës së sotme nën dyshimin se ka kryer veprat penale – keqpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti.

Çitaku sipas prokurorit të rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka dhënë leje dhe pëlqime mjedisore për ndërtime në Brezovicë.

“Ka të bëjë me lëshimin e lejeve ujore, pëlqimeve mjedisore dhe disa veprime që tani nuk mund t’i bëjmë publike ndërsa dyshohet edhe për marrje ryshfeti”, tha Maloku në konferencën për media të organizuar pas aksionit të sotëm që ndodhi në disa lokacione në Kosovë.

Rasti i hetimit të ndërtimeve ilegale në Brezovicë po vazhdon ndërsa gjatë ditës së sotme është zhvilluar edhe një aksion tjetër ku pati të arrestuar dhe bastisje.

Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin në koordinim të plotë të Prokurorisë së Ferizajt.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, tregoi se gjatë hetimeve prej datës 21 dhjetor 2021, janë ngrirë afër 6 milionë euro, para këto që kanë qenë në xhirollogaritë bankare të të dyshuarve të arrestuar gjatë këtij aksioni.

“Shumica e këtyre mjeteve janë të të pandehurve ndërsa një pjesë tjetër kanë qenë të familjarëve të tyre”, tha prokurori Maloku.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, tregoi se gjatë ditës së sotme janë zhvilluar aksione në 9 lokacione të ndryshme, në komunën e Shtërpcës, Ferizajt dhe Prishtinës, gjithashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë Ministri janë arrestuar dhe janë dërguar në ndalim kryeinspektori Bedri Halimi dhe ish-sekretari Arben Çitaku. Halimi po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Çitaku për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Në anën tjetër, sot janë arrestuar disa persona dhe aksioni i sotëm është vazhdimësi e rastit të hetimit “Brezovica”.

Kujtojmë se ditë më parë në aksionin e Policisë të udhëhequr nga Prokuroria e Ferizajt, për rastin e njëjtë janë arrestuar edhe ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës si dhe drejtori i Urbanizmit.

Sekuestrohen veturat luksoze të ish-kryetarit të Shtërpcës – FOTO