Maria Bamieh, ish prokurore e EULEX-it.

Ish- prokurorja e EULEX-it që sinjalizoi për korrupsion jep detajet e rasteve: Pas dyshimeve të mia dhe raportimit më kanë përjashtuar dhe keqtrajtuar 

Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar sot në një konferencë për media në Prishtinë ka njoftuar në detaje rastin e saj gjatë kohës sa ishte në EULEX dhe me sfidat me të cilat është përballur nga koha kur kishte filluar të sinjalizonte se diçka nuk ishte në rregull.

Bamieh para gazetarëve në Kosovë tha se si një prokurore në Britani të Madhe me përvojë ndërkombëtare ishte caktuar për të ardhur në EULEX.

“Erdha në Kosovë që të jap kontributin tim. Unë kam pasur një rekord të mirë të rasteve. Jam marrë me raste të profilit të lartë në kohën sa kom punuar në Prokurorinë speciale”, tha Bamieh.

Ajo bëri të ditur se ka pasur rastin e shpërthimit të një bombe në rrugën “Bill Clinton”, rastin e Ilir Tolajt, etj.

Bamieh tha se ka pasur qasje në përgjime të ligjshme, e nga të cilat pastaj ka kuptuar për ndërhyrje e ka pasur dyshime për korrupsion.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë se gjyqtari ose prokurorja ishin fajtore. Çështja ime ishte se kishte dyshim të bazuar se diçka nuk shkonte në rregull dhe se duhej të bëheshin hetime”, tha ndër të tjera Bamieh.

Ish prokurorja tha se ajo ende i ka kopjet e përgjimeve.

Ajo më tej tha se pas raportimeve të saj ka filluar të ballafaqohet me kundërshtarë, është keqtrajtuar në zyre, e kanë përjashtuar.

Madje, sipas saj, ajo është quajtur edhe raciste dhe e çmendur. /Telegrafi