Ish-prokurori special, Sylë Hoxha i rikthehet jetës politike me LDK-në

Ish kryeprokurori i Prizrenit dhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sylë Hoxha, nuk e ka mohuar se do jetë në listën e LDK-së, nëse i bëhet një ftesë nga kjo parti. Hoxha e ka konfirmuar për KALLXO.com se do jetë pjesë aktive e LDK-së.

“Sa i përket listës nuk varet prej meje a kam me qenë a jo në listë a jo mirëpo nëse vjen ndonjë ftesë do e shoh sepse nga momenti që jam pensionuar unë kam shpreh gatishmërinë time të jem pjesë e LDK-së dhe e kam njoftuar kryetarin e degës në Prizren Anton Çunin, kur keni tubime dhe aktivitete unë tash nuk kam pengesa ligjore të jem pjesë”, tha Hoxha, i cili ka shtuar se lidhja e tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës është e vjetër.

“Edhe ma herët kam qenë veprimtar dhe unë e kam pushuar aktivitetin sa kam qenë prokuror, sepse nuk kemi pas të drejtë, tash kam dalë në pension dhe tash ju bashkëngjitëm aktiviteteve tubimeve sepse nuk kam pengesë ligjore dhe kjo ka qenë arsyeja dhe unë jam parë në tubim të LDK-së”, theksi Hoxha.

Hoxha ka komentuar edhe ne lidhje me rastin e Astrit Dehari. Ai ka thënë se “Unë asnjëherë nuk kam qenë prokuror i atij rasti, në atë kohë unë kam qenë vetëm menaxheri i prokurorisë në Prizren”.

“Unë kam qenë kryeprokuror se i pashë edhe komentet se jo i ka hap jo i ka mbyllur dhe as si kam hapur as si kam mbyllur, unë është e vërtetë e kam lexuar një raport që ka qenë i autopsisë dhe aty është raporti, hetimet kanë vazhduar dhe ju e dini se kanë lyp ekspertiza jashtë vendit dhe ka shkuar rasti në prokurori special dhe ka vazhduar tutje”, ka thënë Hoxha.

Mbrëmë kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka publikuar disa fotografi në të cilat shihej edhe ish kryeprokurori Hoxha ulur në rendin e parë gjatë një tubimi të kësaj partie.