Ish-prokurori special: Rasti i Telekomit nuk u hetua siç duhet
Abdurrahim Islami, ish-prokuror special, i cili kishte hetuar keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, ka thënë se ky rast nuk ishte hetuar ashtu siç duhet.
Ai ka thënë se pengesë në hetime ishin disa vendime nga hetuesia e EULEX-it.
“Lëndën që kam arritur para pensionimit me ngritë ka qenë lënda për Telekomin, edhe pse ajo lëndë ka pasur anonime, ka pasur dëshmi mirëpo nuk kam qenë shumë i kënaqur me hetimet që janë bërë, nuk kemi arritur qysh duhet me e bë. Ngecja ka filluar kur ka qenë EULEX-i, si kanë ardh deri te pushimi i hetimeve, unë as vetë nuk mundem me kuptu për ato vepra. Për mua ka qenë shumë e pakuptimitë”, ka thënë ish-prokurori special.
“Në kohën e EULEX patën pushu shumë hetime e kjo na pat pengu ne punë pastaj. Rasti duhet të jetë tani në Gjykatë po në këtë rast janë të akuzuar tre ose katër persona, të profilit të lartë”, ka deklaruar ai në “Kallxo Pernime”.
Ai ka thënë se është e pabesueshme që kaq pak njerëz sot vuajnë dënimin me burg për veprat e korrupsionit.
“Besoj ka pasur elemente që të përfshijnë edhe më shumë njerëz të akuzuar. “Kur ta shikosh, thuhet se po luftohet korrupsioni në Kosovë, kur e merr numrin që 22 vetëm janë në burg, është shumë për t’u habitur, nuk e di”, ka deklaruar ai.