Ish-Prokrurori Elez Blakaj - Kryeprokurorit Lumezi: Mos fol se u bane gazi i botës

Ish-prokurori Elez Blakaj ka reaguar përsëri përmes një postimi të tij në rrjetin social Facebook, duke drejtuar akuza kundrejt Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi.

Blakaj në postimin e tij në Facebook ka ironizuar me deklaratat e Lumezit, i cili ka thënë se nuk merret me prononcimet publike.

Aleksander Lumezi nuk merret me prononcimet politike të Albin Kurtit

“More ky nuk merret me deklarata publike se nuk ka kohë, sepse është tepër i zënë duke vepruar e luftuar krimin e korrupsionin, në veçanti atë të profilit të lartë. Vend nuk do mi lanë, e myti… e myti… të lumtë!!!”, thuhet në shkrimin e Elez Blakajt të publikuar në profilin e tij në Facebook.

Sipas Blakajt, Lumezi po mundohet ta vë në lajthim publikun e gjerë.

“Po nuk ke si ta quash ndryshe punën e tij, kur flasim për korrupsionin e profilit të lartë, përveç se deklarim publik, përpjekje kjo për ta vënë në lajthim opinionin publik, e edhe më gjerë. Po nuk të shiten këto përralla ma, sepse raportet e institucionet me kredibile në fytyrë, po ta thonë…. Po kujt me ja thënë more, duhet me pas fytyrë së pari”, thuhet më tej në postimin e tij.

Blakajt tutje ka shkruar se vetëm me një gjë pajtohet me Lumezin.

“Por, një gjë është e saktë në atë çfarë paska deklaruar, nuk mund ta mohoj!
Sa herë thirren njerëzit e profilit të lartë (se për tjerët nuk po vlejkan dispozitat ligjore, as konsultimet…) qoftë si DËSHMITAR apo të DYSHUAR, ai SHQETËSOHET SHUMË dhe menjëherë të thërret në zyrë…. Sigurohet të të thërras përmes njerëzve të afërt të tij në zyrë ose përmes telefonave të tyre, sigurohet me çdo kusht se duhet shkuar po atë ditë (sepse e ka obligim t`i kthej informacionet menjëherë), sigurohet mirë se kush mund të hyj në zyrë në atë moment kur të thërret, pastaj sigurohet pse dhe në çfarë cilësie është ftuar zyrtari i lartë, mundohet t`i arsyetoj veprimet e tyre me imunitet dhe KAPAKU është kur t`i kërkon pyetjet se për çfarë konkretisht do ta pyesësh zyrtarin e lartë shtetëror lidhur me veprën e caktuar penale, SEPSE thjeshtë “i vjen keq për ta”, e ka dëshirë që të vinë sa me të përgatitur…… e krejt strategjia i prishet kur nuk i merr ato informacione të cilat i kërkon, e pastaj… fillon e ulurin duke të të kërcënuar me masa disiplinore…. I kuptueshëm reagimi i tij…. sepse e din që duhet dhënë llogari para padronëve të tij, nuk është e lehtë”, ka shkruar ish-prokurori Elez Blakaj.

“O zotni, larg detyrave dhe përgjegjësive ligjore je, mos fol se u bane gazi i botës, askush nuk po të merr seriozisht ma, madje as mercenarët tuaj sepse edhe ata e din SHUMË MIRË se sa vleni, e lerë më opinioni publik”, vazhdon tutje postimi i Blakajt.

Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special në gusht të vitit të kaluar dhe ishte larguar nga Kosova, pasi është ankuar për presion gjatë punës së tij.

Ish-prokurori Blakaj kishte qenë duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së, ndërsa është marrë edhe me disa raste të gjykimeve për terrorizëm.