Ish presidenti Trump nuk thotë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë dhe për Putinin thotë që 'është një djalë i mençur'

Fushata presidenciale e vitit 2024 sapo ka filluar, mirëpo ish-presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë edhe një herë se kandidatura e tij e tretë për Shtëpinë e Bardhë do ta ketë ndjesinë edhe më shumë se dy të parat.

A mund Trump të mos gënjejë edhe më tej për zgjedhjet e vititi 2020?

A u pendua Trump për rolin e tij në trazirat e Kapitolit të SHBA më 6 janar të vitit 2021?

A do të përpiqet Trump të ecë në linjë në një përpjekje për të fituar mbi votuesit e moderuar?

Jo, dhe jo. Në mënyrë të prerë jo.

Trump mund të jetë duke e provuar një mënyrë të re në këtë fushatë, duke e udhëhequr atë që është, deri më sot, gara më konvencionale e me më pak dramacitet të brendshëm. Mirëpo kur iu bë presion nga Kaitlan Collins i CNN, 76-vjeçari Trump tregoi të mërkurën mbrëma se ai është pothuajse i njëjti person të cilin amerikanët e njohën në vitin 2016, gjatë katër viteve të tij në detyrë si President, edhe pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Gjatë tubimit në sallën e qytetitNew Hampshire, ish-presidenti foli për një mospagesë të mundshëm të borxhit si një shqetësim i vogël, nuk tha nëse do ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe foli me plot pasion për politikat e tij të ndarjes së familjeve në kufirin e SHBA.

Në veçanti, Trump refuzoi ta thotë në mënyrë të qartë për një ndalim të mundshëm federal të abortit. Megjithatë, ai bëri një sërë pretendimesh të rreme rreth kryerjes së abortit në “nëntë muaj”.

Ai i ka përsëritur shumë nga ato që i ka thënë më parë. Trump i fajësoi të tjerët për trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol Hill të SHBA. Gënjeu për afatin kohor të asaj dite, duke sugjeruar se u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij që të largoheshin më herët se e ka bërë në të vërtetë. Dhe përsëri kritikoi ish-zëvendëspresidentin Mike Pence për mospërpjekjen për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.

Adresoi fjalë ofenduese në drejtim të ish-kolumnistes së revistës E. Jean Carroll, një ditë pasi një juri federale në Manhattan gjeti se Trump abuzoi seksualisht me të në vitin 1996 dhe Trump i përsëriti komentet e tij famëkeqe nga kaseta “Access Hollywood” që u shfaq në vitin 2016.

Trump bën komente përbuzëse ndaj Carroll

Diç më shumë se 24 orë pasi një juri e gjeti Trumpin përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj shkrimtares E. Jean Carroll dhe i dha asaj 5 milionë dollarë, ish-presidenti i mohoi akuzat dhe përsëri tha se nuk e kishte takuar Carrollin asnjëherë më parë.

“Këtë grua, nuk e njoh. Nuk e kam takuar kurrë. Nuk e kam idenë se kush është ajo”, tha Trump, përpara se të niste një furi komentesh të çuditshme për ish-bashkëshorten e saj dhe një kafshë shtëpiake.

Trump gjithashtu e hodhi poshtë një pyetje nëse verdikti do ta dëmtonte qëndrimin e tij me votuesit femra, duke thënë se kishte dyshime në këtë verdikt. Reagimi i audiencës miqësore ndaj Trump duket se i jipte mbështetje mendimit e tij – ata qeshën me shakatë e tij dhe komentet e tjera shpërfillëse për Carroll.

Ndërkohë që juria zbuloi se Trump ka abuzuar seksualisht me Carroll-in, mjaftueshëm për ta mbajtur atë përgjegjës për përdorim të forcës ndaj një personi pa pëlqimin e atij personi, të njëjtit nuk kanë gjetur se Carroll arriti të dëshmojë se Trump e kishte përdhunuar atë – një dallim ky të cilin Trump e përmendi menjëherë.

Carroll e ka ngritur padinë nëntorin e kaluar sipas Aktit të Shtetit të Nju Jorkut për të Mbijetuarit e të Rriturve, një projekt-ligj shtetëror i cili lejon rishikimin e akuzave për sulme seksuale që do të ishin hedhur poshtë më parë nga statuti i kufizimeve.

Trump është i paqartë për ndalimin federal të abortit

Trump vazhdimisht i anashkaloi pyetjet nëse ai do ta nënshkruante një ligj federal për ndalimin e abortit, si dhe pas sa javësh në një shtatzëni aborti duhet të bëhet i paligjshëm.

Ai e njohu vendimin e Gjykatës së Lartë vitin e kaluar për t’i përmbysur të drejtat federale të abortit të Roe kundër Wade si “një fitore të madhe” – dhe një vendim që ishte i mundësuar nga emërimi i tij i tre gjyqtarëve konservatorë.

Mirëpo Trump i njohu gjithashtu përçarjet brenda Partisë Republikane nëse duhet të vendoset një ndalim Federal i abortit dhe cilat duhet të jenë kushtet e një ndalimi të tillë. Demokratët kanë fituar referendume mbarëkombëtare, gara gjyqësore dhe më shumë, ndërkohë që e kanë vënë theksin tek mbështetja e tyre për të drejtat e abortit pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Trump tha se i mbështet përjashtimet nga ndalimi i abortit për rastet e përdhunimit, incestit dhe kur jeta e nënës kërcënohet.

Trump nuk tha nëse do ta mbështesë Ukrainën në luftë me Rusinë

Trump refuzoi të thotë nëse donte që Ukraina të mbizotëronte në luftën e saj me Rusinë pushtuese.

“Unë nuk mendoj në aspektin e fitores dhe humbjes”, tha ai, “Unë mendoj në drejtim të zgjidhjes së situatës, kështu që ta ndalojmë vrasjen e të gjithë këtyre njerëzve”.

I pyetur për ta zgjedhur një anë për të cilën do të preferonte të fitonte, Trump përsëri u përgjigj me përbuzje. “Do të doja që vdekjet të ndaloheshin”, tha ai përpara se të premtonte se do t’i jepte fund kësaj lufte brenda nja afati “24 orësh”.

Në fund, Trump u rikthye në dy tema të njohura: duke kërkuar nga Evropa “të grumbullojë më shumë para” në mbështetje të qëllimeve perëndimore dhe duke folur me butësi për presidentin rus Vladimir Putin.

“Ai ka bërë një gabim të jashtëzakonshëm”, tha Trump për Putinin, përpara se të shtonte, “Ai është një djalë i mençur”.

Gabimi, tha Trump, “ishte” në Ukrainë – diçka që, sipas tij, nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte President.

Trump thotë se do t’i falte rebelët e 6 janarit

Trump nuk tregoi asnjë shenjë pendimi për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol Hill të SHBA.

I pyetur në lidhje me pretendimet e ish-zëvendëspresidentit Mike Pence se veprimet e Trumpit e kanë vënë në rrezik jetën e familjes së tij, Trump tha se nuk i detyrohet Pence një kërkimfalje – dhe e fajësoi ish-zëvendëspresidentin për rolin e tij ceremonial në numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor.

 “Jo, sepse ai bëri diçka të gabuar. Ai duhet t’i kishte kthyer votat në legjislaturën e shtetit”, tha Trump, duke këmbëngulur gabimisht se Pence kishte autoritetin ligjor për t’i refuzuar votat elektorale të disa shteteve.

Trump tha gjithashtu se ai është “i prirur t’i falte” shumë nga protestuesit pro-Trump, të cilët u dënuan për rolet e tyre në sulmin në Kapitol Hill.

Ai tha se nuk do të jetë në gjendje t’i falë “të gjithë”, por tha se “do të kishte falur një pjesë e madhe e tyre”.

Trump sugjeron se nëse bëhet President, politika e imigracionit për ndarjen e familjeve mund të rikthehet

Trump ka thënë se në rast të përzgjedhjes si President do ta kthenete një nga politikat më të ashpra të zbatimit të imigracionit të imponuara nga administrata e tij: ndarjen e familjeve emigrante në kufirin SHBA-Meksikë.

Politika e “tolerancës zero” përmbledh politikat që administrata e Trump ishte e gatshme t’i zbatonte për t’i penguar emigrantët të vinin në Shtetet e Bashkuara dhe Trump tha se ajo mbetej një pengesë e fortë.

“Kur i thoni një familjeje se nëse vini, ne do t’ju ndajmë, ata nuk vijnë”, thotë Trump.

Komentet e tij vijnë me Titullin 42, kufizimi i shëndetit publik pandemik të epokës Trump që u bë një mjet kyç zyrtar i përdorur për t’i dëbuar emigrantët në kufirin SHBA-Meksikë.

Trump i përsërit gënjeshtrat e mashtrimit elektoral

Siç ka bërë pothuajse në çdo tubim që nga largimi i detyrës së tij si President, Trump i përsëriti gënjeshtrat e tij për mashtrime të përhapura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ai gjithashtu nuk do të zotohej për t’i pranuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, duke thënë se do ta bënte këtë vetëm “nëse mendoj se janë zgjedhje të ndershme”.

Collins vuri në dukje se zyrtarët republikanë të zgjedhjeve shtetërore në Gjeorgji dhe gjetkë i kishin hedhur poshtë gënjeshtrat e Trump dhe se Trump dhe mbështetësit e tij i kanë humbur dhjetëra padi gjatë garës së vitit 2020. Mirëpo Trump e shmangu edhe këtë pyetje duke i përsëritur pretendimet e mohuara për vota mashtruese.

“Mendoj se është turp ajo që ndodhi. Mendoj se është një gjë shumë e trishtueshme për vendin tonë”, tha Trump.

Trump përdor të njëjtat taktika abuzive dhe fyese

Trump vazhdoi traditën e tij të gjatë për të abuzuar me emra individësh të mërkurën mbrëma.

Ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi është “një grua e çmendur”. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, një rival i mundshëm presidencial presidencial i Republikanëve 2024, është “DeSantimonious”. Pence, i cili hodhi poshtë kërkesën e Trump për të tentuar të përmbysë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, është “rripi transportues njerëzor”. Zyrtari i policisë së Kapitolit të SHBA që qëlloi dhe vrau Babbitt është një “bandit”. (Ndërkaq, protestuesit ishin “njerëz të mëdhenj”). Carroll, sipas Trump, është një “e çmendur”. Dhe kur Collins i bëri presion Trumpit për dokumentet që ai mori nga Shtëpia e Bardhë, ai tha: “Ti je një person i keq”.

Sulmet ofendues janë tarifa standarde për Trumpin, i cili edhe gjatë fushatës së tij për në nominimin nga ana e Partisë Republikanëve në vitin 2016, i ka quajtur rivalët e tij me pseudonime të ndryshme. Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, ishte “me energji të ulët”. Senatori i Teksasit Ted Cruz ishte “Lyin’ Ted”. Dhe kur prezantuesja e atëhershme e Fox News, Megyn Kelly, e i bëri presion Trumpit mbi historinë e tij të fyerjes së grave në një debat të vitit 2015, Trump tha në mënyrë të rreme për Kelly: “I dilte gjak nga sytë e saj, gjak i dilte nga ajo kudo”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala