Ish presidenti Trump ishte në qendër të komplotit që çoi në 'tentativë për grusht shteti'

Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve që e ka hetuar sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol Hill të SHBA-së në vitin 2021 tha se Donald Trump ishte në qendër të një komploti të përhapur për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 që kulmoi me një “tentativë për grushtshtet”.

Me një përshkrim të ri tronditës të sulmit më të keq në sallat e Kongresit në më shumë se dy shekuj, komiteti e dha një përshkrim në detaje përgjatë dy orëve të enjten mbrëma duke e vënë në pah  kërcënimin e rëndë ndaj demokracisë amerikane atëherë dhe vperimet e tanishme të ish-presidentit.

“Populli amerikan meriton përgjigje”, tha kongresmeni Bennie Thompson, një demokrat nga Mississippi dhe kryetar i komitetit. “Pra, sonte, dhe gjatë javëve të ardhshme, ne do t’jua kujtojmë realitetin e asaj që ndodhi atë ditë”.

Thompson, kryetarja e komitetit dhe kongresmenja Liz Cheney, republikane nga ëyoming dhe nënkryetarja e saj shpalosën atë që ata e përshkruan si sjellje të pahijshme “jokushtetuese” të një ish-presidenti që vazhdon ta përsërisë gënjeshtrën se zgjedhjet që i humbi ndaj demokratit Joe Biden i ishin vjedhur atij – një gënjeshtër, argumentojnë ata, që edhe ai e di të jetë e rreme.

“Të gjithë amerikanët duhet ta kenë parasysh këtë fakt”, tha Cheney gjatë procedurave në primetime, “në mëngjesin e 6 janarit, qëllimi i Presidentit Donald Trump ishte të mbetej president i Shteteve të Bashkuara pavarësisht rezultatit të ligjshëm të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe në shkelje të detyrimit të tij kushtetues për të hequr dorë nga pushteti”.

Prezantimi i tyre shfaqi një video të paparë asnjëherë më parë nga sulmi i mbështetësve ekstremistë të Trump, të cilët e sulmuan Kapitolin e SHBA-së në përpjekje për ta ndaluar Kongresin që ta vërtetonte fitoren e presidentit aktual Biden.

Paneli i lartcekur i shfaqi pamjet e dhunës me dëshmi të drejtpërdrejta dhe video-regjistrime nga disa prej aleatëve dhe anëtarëve të familjes më të ngushtë të Trump.

Këtu përfshiheshin ish-prokurori ipërgjithshëm, William Barr, vajza e Donald Trump dhe këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump, dhëndri dhe këshilltari i tij, Jared Kushner dhe ndihmësi dhe zëdhënësi i tij i kahmotshëm Jason Miller. 

Sulmi, i cili u zhvillua në kohë reale në televizionin kombëtar, la më shumë se 100 oficerë policie të plagosur, ndërsa ata u përleshën me një turmë pro-Trump. Nëntë persona humbën jetën në lidhje me trazirat, përfshirë një grua që u qëllua për vdekje nga një oficer policie i Kapitolit.

Senatori Thompson argumentoi se demokracia amerikane “mbetet në rrezik” pasi shumë republikanë në nivel lokal dhe kombëtar vazhdojnë të nxisin mitin se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën nga Trump dhe ta përdorin atë në fushatat e tyre zgjedhore.

“Konspiracioni për ta penguar vullnetin e njerëzve nuk ka mbaruar”, tha Thompson.

“6 janari dhe gënjeshtrat që çuan në kryengritje kanë vënë në rrezik dy shekuj e gjysmë demokraci kushtetuese”, shtoi ai. “Bota po shikon atë që ne bëjmë këtu”.

Komisioni i përzgjedhur përbëhet nga shtatë demokratë dhe dy republikanë.

Duke folur nga Samiti i Amerikave në Los Anxhelos përpara seancës dëgjimore të mërkurën, Biden tha se sulmi në Kapitol ishte një “shkelje e qartë dhe flagrante e kushtetutës”.

“Shumë amerikanë do t’i shohin për herë të parë disa nga detajet,” tha ai.

Ndërkohë, Trumpi i papenduar postoi në platformën e tij të rrjeteve sociale Truth Social se: “6 janari nuk ishte thjesht një protestë, ai përfaqësonte lëvizjen më të madhe në historinë e vendit tonë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe”.

Qindra njerëz janë akuzuar në lidhje me ngjarjet e 6 janarit, përfshirë disa prej tyre edhe  për komplot rebelimi.

Seancat dëgjimore do të rifillojnë javën e ardhshme./The Guardian

Pëgatiti: Nuhi Shala