Foto: Ambasada e Kosovës në Slloveni

Ish-presidenti Rugova, pjesë e ekspozitës nga Zyra e Parlamentit Evropian në Slloveni

Në mesin e 40 personaliteteve, fitues të Çmimit ‘Saharov’ për Lirinë e Mendimit të titulluar “Të Drejtat e Njeriut në Zemër të Evropës” në kryeqytetin slloven është ekspozuar fotografia dhe një mbishkrim i ish-presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kështu njoftoi përmes një postimi në Facebook Ambasada e Kosovës në Slloveni.

“Nga më shumë se 40 personalitete dhe organizata ndërkombëtare laureatë të këtij çmimi prestigjioz, janë ekspozuar fotografitë dhe nga një përshkrim i shkurtër për veprimtaritë e disa prej tyre, duke përfshirë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova”, thuhet në njoftim.

Fotografia është përshkruar edhe me një shkrim mbi ish-presidentin Rugova.

“Presidenti i parë i Kosovës së pavarur ka punuar pareshtur për zgjidhje paqësore dhe dialog dhe ia ka kushtuar jetën rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve të Kosovës kundër represionit serb. Ai njihej si “Gandi i Ballkanit” duke avokuar për konfirmim global të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për emancipim politik duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ofrojë mbrojtje Kosovës”, njofton Ambasada.

 

Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit është nderimi më i lartë i bërë nga BE-ja për punën për të drejtat e njeriut.

Në vitin 1991, laureat i parë i Çmimit Saharov nga Kosova ka qenë veprimtari i shquar dhe emblema e rezistencës, Adem Demaçi.