Ish presidenti i Shqipërisë: Deputetët e Kosovës me miratimin e rezolutës po ruajnë paqen dhe stabilitetin në rajon

Ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës që miratuan sot rezolutën kundër mbajtës së referendumit të Serbisë në Kosovë, kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Nishani tha se kjo rezolutë i përgjigjet provokacionit serb që synon jo vetëm destabilizimin e shtetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, por sipas tij, edhe për të rindezur konfliktet e urrejtjes ndëretnike në Ballkan.

“Rregjimi aktual në Beograd duke rikthyer me shpejtësi mentalitetet, projektet dhe sjelljet e kohës së Milosheviçit, ka nisur një projekt përplasje me shumicën e vendeve të rajonit përfshirë Kroacinë, Bosnje & Herzegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën”, ka shkruar Nishani.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën e harmonizuar mes katër grupeve parlamentare (LVV, LDK, AAK, Grupit Multietnik) kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Rezoluta u miratua me 76 vota për, asnjë kundër dhe 1 një abstenim.

Kuvendi e miraton rezolutën kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë