Ilustrim

Ish-polici deklarohet i pafajshëm nën akuzën për marrje ryshfeti

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj policit të akuzuar për marrje të ryshfetit, Sllavisha Vukojeviq.

I njëjti u deklarua i pafajshëm për atë çka akuzohet, kurse procedura ndaj policit tjetër të akuzuar, Radosllav Pavlloviq, ishte veçuar më herët.

Pavlloviq ishte liruar ndërsa aktgjykimi ka marrë formën  e prerë pasi është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Vukojeviq në cilësinë e personit zyrtar në Policinë e Kosovës, në tre raste të ndryshme ka kërkuar para nga personat të cilët i kishte ndaluar në komunikacion.

Në një rast, i pandehuri Sllavisha Vukojeviq pasi e kishte ndaluar të dëmtuarin Branko Pllavshiq, nga i njëjti kishte kërkuar dokumentet e automjetit.

Pasi ky i fundit nuk i posedonte ato, i pandehuri Vukojeviq, sipas aktakuzës, në prani të ish-kolegut, kishte thënë: “Do t’i shkruaj dënim 80 euro dhe do ta dërgoj në Vushtrri të flejë nëse nuk i jep 20 euro”.

Në dy raste të tjera, të dëmtuarit Zahit Ibrahimoviq i kishte kërkuar dhe marrë shumën prej 120 euro, ndërsa të dëmtuarit Ivan Radulloviq i kishte kërkuar 10 euro si dhe kishin tentuar t’ia marrin një pako me 15 pashteta.

Në seancën e mbajtur sot pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, i pandehuri Vukojeviq u deklarua se nuk ndihej fajtor për veprën me të cilën ngarkohej.

Ai dhe avokati i tij, Faruk Korenica, u njoftuan nga gjykatësi Beqir Halili se në afat prej 30 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet në lidhje me aktakuzën.