Ish-policët serbë të Bosnjës akuzohen për vrasjen e 22 civilëve

Tetë ish-oficerë policie në entitetin Republika Srpska të Bosnjës të dominuar nga serbët janë akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 22 boshnjakëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë, pranë Bijeljinës në vitin 1992.

Gjykata shtetërore e Bosnjës ka konfirmuar një aktakuzë që akuzon tetë ish-policë të Republikës Srpska për përfshirje në vrasjet e civilëve në fshatin Balatun afër Bijeljinës në shtator 1992, tha për BIRN prokurori përgjegjës për çështjen, Ivan Matesiç.

Të akuzuarit janë Zivan Miljanoviç, ndihmës komandant i Stacionit të Sigurisë Publike në Bijeljina, Stevo Bokariç, anëtar i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore në Bijeljina, Jovica Petroviç dhe Mirko Simiç, anëtarë të Skuadrës së Ndërhyrjeve në Stacionin e Sigurisë Publike, Goran Sariç, ish-komandant i Brigadës Speciale të Policisë së Republikës Srpska, dhe Ljubo Markoviç, Slavenko Koceviç dhe Zvonko Przulj, anëtarë të një skuadre speciale të Ministrisë së Brendshme të Republikës Srpska të njohur si Pahuljice (Flokët e borës).

Sipas prokurorisë, gjatë natës së 24-25 shtator 1992, të paditurit morën në mënyrë të paligjshme anëtarët e familjeve Sarajliç, Sejmenoviç dhe Malagiç nga shtëpitë e tyre në lagjen Bukres të Bijeljinës.

Më shumë se gjysma e boshnjakëve që u kapën ishin gra, fëmijë dhe të moshuar.

“Pasi u morën dhe u dërguan në fshatin Balatun, civilët u ekzekutuan me armë zjarri, trupat e tyre u hodhën në lumin Drina”, tha prokuroria kur u ngrit fillimisht aktakuza.

Pas luftës, shumica e trupave të viktimave u gjetën të varrosur në disa lokacione në zonën Sremska Mitrovica të Serbisë. Trupat e katër viktimave ende nuk janë gjetur.