Haziz Hodaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-partneri i koalicionit akuzon Mytaher Haskukën për mospërfundim të projekteve komunale

Ish-partneri i koalicionit në Komunën e Prizrenit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar kryetarin Mytaher Haskuka se nuk ka nisur dhe as përfunduar asnjë projekt në komunë qysh nga marrja e mandatit.

Haziz Hodaj nga kjo parti ka thënë në serinë e debateve “Jeta në Komunë” se Komuna e Prizrenit është kampion për pagesa përmes përmbaruesve, lëndëve në OShP dhe aferat në konkurset e arsimit.

“A mund të më thoni se cilin konkurs në Drejtorinë e Arsimit e keni filluar dhe përfunduar pa ndonjë aferë?”, ka pyetur Hodaj.

Mytaher Haskuka duke replikuar ka renditur  projektet e përfunduara komunale në arsim e shëndetësi.

“Në Drejtorinë e Arsimit kemi filluar, unë e kam qitë gurthemelin edhe e kam përfunduar çerdhen e parë publike, ndërtimin e objektit të ri shkollor në Lukinje të Hasit, ndërtimin e objektit të ri shkollor në fshatin Grënqare, shkolla “Dëshmorët e Hasit”, në Billushë, në Krajk, 8 renovime i kemi nisë dhe i kemi përfunduar shkollat më të mëdha në Prizren, dy salla të sportit i kemi përfunduar. Në shëndetësi edhe në Gjonaj edhe në Romajë i kemi përfunduar Qendrën e Mjekësisë Familjare, me laboratorë e  me të gjitha që në Has kurrë s’kanë qenë”, ka thënë Haskuka.

Më tej Haskuka ka thënë se Prizreni e ka ndriçimin më efiçient dhe është bërë zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në të gjitha fshatrat.

Rreth ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit për të cilat Hodaj tha se Prizreni është kampion, Haskuka deklaroi se kjo ndodh për shkak se Komuna nuk i ndalon operatorët e asnjë komunë të aplikojnë e më pas të ankohen.

Të ftuar në studio janë janë: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.