Ish-partiaku i Hykmete Bajramit bëhet U.D Sekretar në MAShTI

Pak ditë pasi që Qeveria e Kosovës mori vendim që të shkarkohet nga detyra sekretari i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ekrem Kastrati këtë detyrë tashmë e ka marrë një ushtrues detyre.

Në këtë pozitë tashmë është emëruar ish-zëvendësministri i Arsimit, Agim Bërdyna, ish-partiak i ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami.

Këtë e ka konfirmuar Bërdyna për KALLXO.com, derisa shtoi se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e LDK-së.

“Jam emëruar në këtë pozitë të hënën e kam marrë vendimin. Dëshiroj të theksoj se kam bërë publike të gjitha dorëheqjet nga funksionet e partisë”, ka thënë Bërdyna.

Bërdyna ka qenë zëvendësministër i Arsimit në vitin 2016, kur në krye të kësaj ministrie ishte Arsim Bajrami.

Berdyna po ashtu ka qenë kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës nga LDK-ja në vitin 2009 dhe sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, ai kishte marrë 4 mijë e 668 vota.

Më 19 shkurt, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti, largoi nga puna disa sekretarë të ministrive, përfshirë edhe atë të MAShTI-it.

Kryeministri Kurti ka thënë se sekretarët e ministrive të prekur nga ky riorganizim do të kalojnë në listën tepricë dhe do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi.

Në pozitën e sekretarit të MAShT-it ishte Ekrem Kastrati, për të cilën KALLXO.com kishte raportuarse Kastrati ishte emëruar edhe pse nuk kishte treguar aftësi sipas monitorimit të BIRN.

Pavarësisht që ambasada britanike si partner në përzgjedhjen e pozitave të larta dhe komisioni vlerësues kishin dhënë rekomandim se asnjëri nga tre kandidatët nuk kishte dhënë rezultat të kënaqshëm, ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte propozuar emrin e Kastratit për këtë pozitë. Kastrati është nga Malisheva dhe ka qenë drejtor i Administratës në këtë komunë që udhëhiqet nga Ragip Begaj nga Nisma për Kosovë.

Ish-Drejtori i Malishevës Emërohet Sekretar në Ministrinë e Drejtuar nga Nisma

www.kallxo.com