Ish-nënkryetari i Komunës së Kllokotit, Sasa Mirkovic i akuzuar për cenim i përcaktimit të lirë të votueseve- FOTO:KALLXO
Ish-nënkryetari i komunës së Kllokotit pretendon se nuk i ka shkresat e lëndës në gjuhën serbe, nuk mbahet shqyrtimi fillestar
Ish-nënkryetari i komunës së Kllokotit, Sasa Mirkoviq doli para Gjykatës në Prishtinë për t`u përballur me akuzat që kanë të bëjnë më cenim të lirë të votimit që sipas prokurorisë kanë ndodhur në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Mirkoviq akuzohet se ka kanosur me largim nga vend i punës qytetarët e nacionalitetit serb për të votuar partinë “Ujdinjina Zajdenica – Ardiana Hoxhiq”.
Kur pritej që sot i njëjti të deklarohej lidhur me akuzat që prokuroria i vë në barrë, mbrojtësi i Mirkoviqit, Isa Salihi tha se i pandehuri nuk i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës në gjuhën që ai e kupton andaj i njëjti nuk mund të deklarohet për këtë çështje.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina tha se kanë fakte (dërgesën postare) që aktakuza të pandehurit i është dorëzuar në gjuhën serbe, madje janë marrë vesh me mbrojtësin paraprak të të akuzuarit që fillimisht të bëhet përkthimi i aktakuzës pastaj pjesa tjetër e lëndës.
“Ne kemi dëshmi që përmes postës kemi dorëzuar aktakuzën në gjuhën serbe për të pandehurit gjithashtu kemi dëshmi që kemi dorëzuar aktakuzën në gjuhën serbe të avokatit paraprak, çështja e përkthimit të gjithë dosjes ka qenë në diskutim me avokatin paraprak, ne jemi dakorduar që fillimisht aktakuza të përkthehet për shkak të urgjencës së procedurës, pjesa tjetër është në proces të përkthimit (Pjesa tjetër e lëndës)”- tha prokurori.
Në këto rrethana kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala mori vendim që të ndërprej shqyrtimin fillestar dhe i njëjti u shtye për kohë të pa caktuar deri në një njoftim tjetër nga prokuroria se është bërë përkthimi i lëndës në tërësi.
I pandehuri sipas aktakuzës nga janari dhe shkurti i vitit 2021 në territorin e Komunës së Kllokotit, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serb me qëllim që të ndikoj në vullnetin e tyre zgjedhor gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021.
I njëjti sipas prokurorisë ka vepruar kështu në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit në bashkëkryerje me tashmë të dënuarin sipas aktakuzës Bozhidar Dejanoviq.
I akuzuari së bashku me Dejanoviq sipas aktakuzës kanë kërcënuar qytetarët e nacionalitetit serb duke i’u kërkuar që të votojnë për subjekte të caktuara politike duke i kërcënuar se do t`i largojnë nga puna.
Kështu Dejanoviq sipas dosjes së prokurorisë në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Kllokotit ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”, kurse i akuzuari Sasa Mirkoviq në të njëjtën mënyrë ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 “Ujdinjina Zajdenica-Ardiana Hoxhiq”.
Votat, sipas aktakuzës, janë siguruar nga i pandehuri dhe Bozhidar Dejanoviq duke i kërcënuar qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale duke ndikuar te qytetarët që të votojnë në mënyra të caktuara.
Veprime këto që kanë arritur sipas prokurorisë të konsumojnë elementet e veprës penale “cenim i përcaktimit të lirë të votueseve” e cila dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vite.