Ish-ministrja Hoxha mohon shoqërinë e bashkëshortit të saj më gjyqtarin e rastit

Prokurori Dren Paca, i cili është prokuror në rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha ka paraqitur dyshime për lidhje shoqërore të gjyqtarit të rastit me burrin e ish-ministres.

Prokurori ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, për shkak të këtyre dyshimeve, kërkesë kjo që ishte refuzuar nga nënkryetari i gjykatës së Prishtinës, Dren Rogova.

Prokurori në parashtresën e tij ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Hoti, pasi sipas tij kishte marrë informacion nga burime të ndryshme të pakonfirmuara deri më tani se kryetari i trupit gjykues Hoti, kishte lidhje shoqërore me bashkëshortin e Dhurata Hoxhës.

Ish-ministrja Hoxha për KALLXO.com e ka mohuar njohjen e bashkëshortit të saj me gjyqtarin Arben Hoti.

“Unë bisedova për çdo rast me bashkëshortin tim edhe njëherë, dhe ju garantoj që asnjë lidhje i njëjti nuk e ka me gjyqtarin e çështjes Arben Hoti as nuk e njeh fare dhe asnjëherë nuk e ka takuar se lëre më të këtë lidhje miqësore me të njëjtin” – ka shtuar ish-ministrja në përgjigjen për KALLXO.com.

Shkrimin e KALLXO.com lidhur me pretendimet e prokurorisë e gjeni në këtë LINK.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Më 1 shtator 2021 ish ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.