Arkiv - Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (16.09.2022), Foto: KALLXO.com

Ish-ministrja Hoxha kërkon përjashtimin e prokurorit nga rasti

Ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila bashkë me disa të tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Hoxha ka kërkuar përjashtimin e prokurorit Dren Paca nga rasti me arsyetimin se babai i prokurorit e njeh bashkëshortin e saj.

“Bashkëshorti më ka informuar se nuk e njeh gjyqtarin, mirëpo e njeh babin e prokurorit Dren Paca ku i njëjti ka qene profesor në kolegjin që bashkëshorti im është pronar, duke u njoftuar me këtë fakt, prokurori e ka fshehur këtë fakt dhe ka akuzuar rrejshëm bashkëshortin tim për lidhje shoqërore, unë tashmë jam bindur që kjo çështje ka kaluar në personale edhe për këtë shkak po e bëj publike për opinionin publik që sot në mëngjes kam dorëzuar kërkesën për përjashtimin e prokurorit Dren Paca” – tha Dhurata Hoxha në seancë.

Në seancat e mëhershme, Prokuroria kishte paraqitur kërkesë në Gjykatë për përjashtimin e gjyqtarit Arben Hoti nga ky rast, mirëpo kjo kërkesë u refuzua nga nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dren Rogova.

Pretendimet për largimin e tij ishin se i njëjti dhe bashkëshorti i ish-ministres kanë lidhje shoqërore, pretendime këto të mohuara nga ish-ministrja Hoxha.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Më 1 shtator 2021 ish ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.