Foto: KALLXO.com. 31.05.2019

Ish-ministrja Hoxha dhe të akuzuarit e tjerë nuk e pranojnë fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe të akuzuarit e tjerë Fitim Mustafa, Ekrem Tahiri dhe Gëzim Dushi, në cilësi të personave zyrtarë po akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të akuzuarit e tjerë nuk e kanë pranuar fajësinë në seancën që është mbajtur sot, ka konfirmuar gjykatësi Vesel Ismaili për KALLXO.com.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 15 korrik 2022.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale edhe në vitin 2021, pas hulumtimit të publikuar nga KALLXO.com, në lidhje me kontratën e lobimit, të nënshkruar në vitin 2019 me kompaninë nga Parisi, e cila në fund kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të pandehurit Fitim Mustafa, Dhurata Hoxha dhe Gëzim Dushi në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të Shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Interneës Kosova, të cilat kishin alarmuar prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Dosja e prokurorisë: Paratë e shtetit shkuan në promovimin e fushatës së ish ministres Dhurata Hoxha