Ish-ministrja e quan "gënjeshtër" deklaratën e Ministrisë për mospjesëmarrjen në inaugurimin e Ambasadës në Jerusalem

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka demantuar Ministrinë sipas të cilës për shkak të pandemisë nuk ka pasur përfaqësues nga Kosova në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Sipas saj, nuk kanë pasur guxim as vizion për ta formalizuar këtë akt historik.

“Është gënjeshtër e pastër deklarata e dhënë sot nga salla e konferencave në MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk paska qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim.  E vërteta është që NUK kanë pasur guxim as vizion për t’a formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale/politike për interes afatgjatë shtetëror”, ka shkruar ish-kryediplomatja në rrjetin social “Facebook”.

Kurse në një postim tjetër, ajo tha se “shpifësit” ia kanë pamundësuar kurorëzimin e këtij inaugurimi.

“Edhepse shpifësit ma pamundësuan kurorëzimin e kësaj pune me praninë time të planifikuar sot në Jerusalem, jam shumë e lumtur që përkundër pengesave të mëdha brenda e jashtë, kjo arritje u përmbyll – duke hapë horizont të ri për Kosovën tonë”, ka shkruar ajo.

Për procesin e hapjes së kësaj Ambasade ka reaguar edhe kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj duke kritikuar “qeverinë në shkuarje dhe qeverinë në ardhje” për procesin e hapjes së Ambasadës.

Ai ka thënë se ato nuk patën guxim, as vendosmëri dhe përvojë për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, duke i lënë një shije të hidhur të gjithë procesit të njohjes ndërmjet dy vendeve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar sot se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit.

Sipas tyre, në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

Kosova hapi zyrtarisht ambasadën në Jerusalem