Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Ish-ministrit Todosijeviq i erdhi koha të shkojë në burg, por kërkon që të shtyjë ekzekutimin e dënimit

Ish-ministri Ivan Todosijeviq është dënuar dhe është në pritje që të vuaj dënimin me burgim prej 1 viti, i shpallur fajtor për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, pasi publikisht kishte deklaruar se masakra e Reçakut ku ishin vrarë 45 shqiptar e ndodhur me 15 janar 1999 gjatë luftës në Kosovë, ishte një trillim.

Ai gjatë ditës së sotme duhej të lajmërohej për të vuajtur dënimin, por një gjë e tillë është shtyrë sërish.

Kjo pasi që Todosijeviq ka bërë kërkesë që ekzekutimi i dënimit të tij të shtyhet.

Me një kërkesë të tillë, vuajtja e dënimit pezullohet deri sa të merret një vendim në lidhje me kërkesën e tij.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata ka filluar procedurën e ekzekutimit të dënimit me burg për të dënuarin I.T., i cili duhet të lajmërohej me datë 03.04.2023, por i njëjti ka bërë kërkesë për shtyrje dhe në momentin që parashtrohet kërkesë për shtyrje ndërpritet ekzekutimi, deri sa të vendoset për kërkesën” – thuhet në përgjigjen e Gashit drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e ish-ministrit Todosijeviq, Neboljsha Vlajiq.

Ai tha se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje dhe se është në dorë të klientit të tij çështja nëse do të paraqitet në vuajtje të dënimit ose jo.

KALLXO.com pati raportuar edhe më parë për çështjen e Todosijeviq.

Në tetor të vitit 2021, KALLXO.com raportoi se nuk i ishte përgjigjur ftesave për të vuajtur dënimin që kishte marrë.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq ishte dënuar me dy vite dënim me burgim më 5 dhjetor 2019 për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, në të cilën forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Vendimi i gjykatës ishte apeluar nga mbrojtja.

Ai ishte shpallur fajtor për herën e dytë. Në tetor të vitit të kaluar, gjykata e kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, ashtu që veprimet e të pandehurit i ka cilësuar si nxitje e urrejtje, përçarjes apo mos durimit racor, fetar apo etnik.

Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi ish-ministrin Todosojevic me 1 vit burgim nën akuzat për nxitje të urrejtjes duke ia ulur dënimin për 1 vit.

Todosijeviq në vitin 2019 ishte dënuar për të njëjtën vepër me dy vite burgim efektiv, mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Todosijeviq akuzohej nga Prokuroria speciale se i njëjti ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes  përmes një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Todosijeviq në atë kohë mbante postin e ministrit në Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal.

I pandehuri në seancën e fundit në fjalën përfundimtare të tij kishte deklaruar se në asnjë moment nuk ka pasur qëllim që të fyej askënd, e posaçërisht popullin shqiptar.

“Në asnjë moment nuk kam dashtë edhe skam pas qëllim që askënd ta fyej, e posaçërisht popullin   shqiptar të tërin” – kishte thënë Todosojeviq.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.