Logo, MPMS

Ish Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, la pas mbi 65 mijë euro avanse të hapura

Shuma e avanseve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të cilat mbeten të hapura deri në përmbyllje të vitit 2021 janë mbi 72 mijë euro, ku pjesa më e madhe e tyre kishin mbetur nga ish Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Avanset e pambyllura deri në fund të vitit 2021 në MFPT ishin 72,191€, prej të cilave 65,302€, kishin të bënin me ish-MPMS, ndërsa 6,889€ me ish-MF-në. Duhet theksuar se në prill të vitit 2022 MFPT kishte bërë mbylljen e plotë të avanseve të ish-MF-së. Përderisa, për avancet e pambyllura nga ish-MPMS nuk ishin marrë masa konkrete, të cilat sipas zyrtarëve përkatës, këto avance kryesisht ishin të stafit politik dhe kishin të bënin me mjetet e tërhequra me kredit kartelë”, thuhet në gjetjen e raportit.

Sipas raportit, kjo kishte ndodhur për shkak të pa përgjegjësisë së personelit që i ka marrë këto mjete në arsyetimin apo kthimin e tyre.

Auditori tregon se mos mbyllja e tyre ka ndikuar që avancet të mbesin të hapura dhe të barten nga viti në vit.

Rekomandimi i auditorit është që të ndërmerren veprime që edhe këto avance të mbyllen.

“Ministri, duhet të siguroj përmes menaxherit të financave vazhdimin e ndërmarrjes së veprimeve konkrete për mbylljen e tërësishme të avanseve të hapura edhe për pjesën e ish MPMS-së”, rekomandon raporti.

Nga menaxhmenti i ministrisë janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 26 maj 2022 nga ministri  Hekuran Murati,  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për vitin 2021”.