Rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës të hënën. Foto: BIRN.
Ish-ministri Jabllanoviq dëshmoi në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Një dëshmitar në gjyqin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës në vitin 2018, Oliver Ivanoviq, i tha Gjykatës së Prishtinës të hënën se ai jetoi në frikë të vazhdueshme për jetën e tij për vite me radhë për shkak të kërcënimeve nga njerëzit e lidhur me partinë politike serbe të Kosovës, Lista Serbe, të mbështetur nga Beogradi.
“Kam mbajtur një jelek antiplumb nga viti 2017 deri në fund të vitit 2020”, tha Aleksander Jabllanoviq, një politikan që tani është lider i Partisë Serbe të Kosovës dhe ishte ministër i Kosovës për Komunitete dhe Kthim nga fundi i vitit 2014 deri në fillim të 2015.
Jabllanoviq dëshmoi se ai ishte një bashkëthemelues i Listës Serbe, por pasi u largua për t’iu bashkuar Partisë Serbe të Kosovës dhe u bë rival në zgjedhjet e vitit 2017, ai u pa si një “armik i shtetit serb”.
Ai pohoi se për shkak të kërcënimeve që ka marrë, shtëpia e tij “është e siguruar nga forcat policore të Kosovës për një kohë të gjatë”, dhe se ai nuk del i vetëm, sidomos natën.
Ai i tha gjykatës se kërcënimet ishin bërë nga individë të afërt me Listën Serbe dhe njeriun që ai e përshkroi si “udhëheqësin e vërtetë” të partisë, biznesmenin e fuqishëm serb të Kosovës Milan Radojiçiq.
Radojiçiq është nënkryetar i Listës Serbe. Aktakuza në rastin Ivanoviq e akuzon atë si udhëheqës të grupit të organizuar kriminal që organizoi vrasjen në janar të vitit 2018, së bashku me biznesmenin tjetër serb të Kosovës, Zvonko Veselinoviq. Ata të dy kanë mohuar çdo përfshirje dhe asnjëri nuk është në gjyq.
Jabllanoviq pretendoi se ai ishte thirrur për t’u takuar me Radojiçiqin në vitin 2015 në një restorant në qytetin e Leposaviqit. Radojiçiq shoqërohej nga “burra me mjekër” për të cilët Jabllanoviq pretendoi se ishin pjesë e një grupi kriminal që mbronte biznesmenin.
“Me një armë, ai më tha: ‘Vëlla, po luan shumë. Nuk mund të vazhdosh kështu. Duhet të kesh kujdes se çfarë po bën’, dëshmoi Jabllanoviq. Ai tha se Radojiçiq më vonë kërkoi falje për kërcënimin e perceptuar pasi ai u ankua në qeverinë serbe.
Dy ditë pasi Ivanoviqi u vra jashtë zyrës së partisë së tij politike në janar 2018, Jabllanoviqi dhe Radojiçiqi u takuan përsëri në një restorant në Mitrovicën e Veriut, tha ai.
Sipas Jabllanoviqit, Radojiçiq e paralajmëroi atë që të “kishte kujdes”, por tha se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e politikanit serb të Kosovës.
Milena Ivanoviq, e veja e politikanit, gjithashtu e paralajmëroi Jabllanoviqin, duke thënë: “Kujdes, banditët vranë Oliverin tim,” dëshmoi ai.
Jabllanoviq tha se ajo nuk përmendi emra, por se ai e kuptoi se ajo e kishte fjalën për “Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin”.
Gjashtë persona janë në gjyq në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.
Katër nga të pandehurit në gjyq – Marko Rosiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedelko Spasojeviq – akuzohen si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që vrau Ivanoviqin.
Dy oficerë policie, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për manipulim të provave në këtë rast. Të gjithë të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Dikur i konsideruar një nacionalist i ashpër, Ivanoviq kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare. Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.
Në kohën e vrasjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai ishte vetëdeklaruar i pafajshëm.