Ish-ministri Ismaili: Donacionet janë refuzuar nga profesionistët që nuk kanë të bëjnë me politikën

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili ka reaguar pas lajmit se në vitin 2018, ministria që ai e udhëhiqte kishte refuzuar një donacion me rreth 1 milion maska nga një organizatë shqiptare në Kanada.

Sipas Ismailit, donacionet janë refuzuar nga një komision profesional, i pavarur, sipas tij nga politika.

“Në vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesë për një donacion nga organizata Sons of Eagle. Kërkesa ishte shqyrtuar nga Komisioni për Donacione – i cili ka konstatuar se ky donacion nuk i plotëson kushtet. Njësoj si për të gjitha donacionet tjera që nuk i plotësojnë kushtet, Komisioni ka informuar edhe për donacionin në fjalë”, ka shkruar në Facebook Uran Ismaili, që është edhe nënkryetar i partisë opozitare, PDK.

“Komisioni për Donacione vepron i pavarur nga Ministria e Shëndetësisë, pikërisht për mbrojtje nga politika.Komisioni për Donacione dhe Organizata Sons of Eagle janë takuar disa herë, në tentim për ta gjetur një zgjidhje. Por, organizata në fjalë nuk i ka plotësuar dokumentet e duhura për import”, thuhet tutje në reagim.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raporti për donacionin prej 1 milion maskave të cilat ishin destinuar për Kosovën mirëpo ato ishin refuzuar në vitin 2018 nga Ministria e Shëndetësisë pasi, siç është thënë, organizata shqiptare nga Kanadaja nuk i kishte plotësuar kriteret.

Ky është postimi i plotë i tij.

Edhe një rast tjetër ku titujt janë shtrembëruar, për shkak të politikës.

Puna ime si Ministër i Shëndetësisë, qysh në fillim, ishte vendosja e ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe çmimeve të larta, si dhe respektimi i procedurave, e jo procedura me të njofshëm.

Në vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesë për një donacion nga organizata Sons of Eagle. Kërkesa ishte shqyrtuar nga Komisioni për Donacione – i cili ka konstatuar se ky donacion nuk i plotëson kushtet. Njësoj si për të gjitha donacionet tjera që nuk i plotësojnë kushtet, Komisioni ka informuar edhe për donacionin në fjalë.

Komisioni për Donacione vepron i pavarur nga Ministria e Shëndetësisë, pikërisht për mbrojtje nga politika.

Komisioni për Donacione dhe Organizata Sons of Eagle janë takuar disa herë, në tentim për ta gjetur një zgjidhje. Por, organizata në fjalë nuk i ka plotësuar dokumentet e duhura për import.

Në vitin 2018 nuk ka pasur situatë emergjente.

Mosplotësimi i kushteve lë dyshime për cilësinë, ndërsa cilësia e dyshimtë mund të jetë e rrezikshme për popullatën. Barnat dhe pajisjet shëndetësore nuk janë artikuj që pranohen pa plotësim të standardeve.

Dhe, më lejoni t’jua rikujtoj se pranimi i donacioneve mjekësore që nuk i plotësojnë standardet e vendosura nga Komisioni për Donacione, e që janë standarde të BE-së, nënkupton shkelje të ligjit.

Ministria e Uran Ismailit kishte refuzuar donacionin me 1 milion maska nga Kanadaja

www.kallxo.com