Ish-ministri i Shëndetësisë: Është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka deklaruar se është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti, pas numrit të vdekjeve dhe infektimeve që janë shërnuar nga COVID-19

Ndërsa pamjet e sotme me QKUK-në e rrethuar nga policët dhe lajmet e fundit që vijnë nga atje, i ka quajtur janë tejet shqetësuese.

“Është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti. Marrë parasysh situatën e re, vdekjet e fundit dhe rritjen e numrave, duhet sa më shpejtë të rishikohen masat dhe të nisin veprime konkrete për ta ndalur këtë gjendje të rëndë dhe për ta parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të saj”, ka shkruar zyrtari i PDK-së në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, nuk është e mjaftueshme vetëm rritja e kapaciteteve në spitale.

“COVID-19 ka mbingarkuar sisteme shëndetësore më të mëdha sesa sistemi shëndetësor i Kosovës. Duhet të investohet në testime, duhet të rishikohen masat dhe duhet të ketë një komunikim strategjik të vazhdueshëm. Në të kundërtën, e keqja e shkaktuar nga COVID-19 veç sa do të rritet”

“Kjo fazë e çorientimit institucional në përballje me virusin duhet të pasohet me politika konkrete që na japin forcë kolektive për t’u ballafaquar me këtë pandemi të rrezikshme dhe me pasoja fatale për jetën e qytetarëve”, përfundoi Ismaili.

Pesë persona dyshohet se kanë vdekur si pasojë e përkeqësimit të gjendjes pas infektimit me coronavirus.

KALLXO.com mëson se para orës 2 të mëngjesit kanë qënë katër vdekje të menjëhershme ndërsa një pacient ka vdekur pak më vonë.

Një pacient tjetër sic thonë burime të KALLXO.com është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka rrethuar Klinikën Infektive me shiritat policor. Një burim brenda policisë i tha KALLXO.com se kanë dyshime në funksionimin e aparaturave.