Ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë: Kur nderohet presidentja Osmani nderohet edhe populli i Kosovës

Ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Scharping, në ceremoninë e ndarjes së çmimit për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u nderua me çmimin M100 Media Award, ka thënë se kur nderohet presidentja Osmani nderohet edhe populli i Kosovës.

Sipas Scharping, rruga e Kosovës drejt demokracisë dhe vetëvendosjes nuk ka qenë e lehtë, por vendi është udhëhequr nga personalitete si presidentja Osmani që, sipas tij, e dinë se fuqia e një populli qëndron në vlerat që ai mbron.

“Udhëheqja e saj është një burim shprese dhe frymëzimi, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne që besojmë në fuqinë e demokracisë për të ndryshuar jetë, për të nxitur unitetin dhe për të transformuar shoqëritë” – tha ish-ministri gjerman.

Tutje ai shtoi se Vjosa Osmani, në emër të Kosovës, para disa muajve foli para më shumë se 100 udhëheqësve shtetërorë dhe qeveritarë nga e gjithë bota në Samitin e Paqes për Ukrainën.

“Para vetëm 25 vitesh, unë isha një fëmijë lufte, mes shumë fëmijëve të tjerë në Kosovë që fshiheshim në male duke shpresuar që njerëz si ju do të vinin dhe do të na shpëtonin. Ju më dhatë mundësinë që 25 vite më vonë të kthehesha, dhe ju falënderoj që nuk i mbyllët sytë para vuajtjeve të fëmijëve të Kosovës” – citoi ai Osmanin.

Tutje Scharping tha se atëherë, para 25 vitesh, ai ishte ministër i Mbrojtjes, kur NATO – pas muajsh të tërë negociatash të dëshpëruara dhe për fat të keq të pafrytshme – ndërhyri ushtarakisht për t’i dhënë fund dëbimeve dhe krimeve të luftës në Kosovë.

“Besoj se dhënia e çmimit M100 Presidentes Osmani nuk është vetëm një dëshmi e punës së saj të palodhur, por gjithashtu një dëshmi e vlerave që na bashkuan atëherë dhe që na mbajnë bashkë edhe sot” – tha ish-ministri.

M100 Media Award Sanssouci Colloquium është një forum ndërkombëtar që mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdamit.

Ky forum ndërkombëtar drejtohet konceptualisht nga një bord këshillues i përbërë nga gazetarë të njohur dhe personalitete të ndryshme gjermane dhe ndërkombëtare, të cilët takohen në intervale të rregullta.

Përveç kësaj, ky bord këshillues vepron si juri për M100 Media Award dhe udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdamit, Mike Schubert.

Nominimi i presidentes Osmani është bërë nga juria e tij, propozim i mbështetur me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë.

Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.

Kemi kuptuar se në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme europiane, përfshirë presidentë dhe kryetarë qeverish.

Përpos presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Fjalën kryesore me këtë rast do ta mbajë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Vjosa Osmani është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me çmimin ndërkombëtar M100 nga Sanssouci Colloquium.

Në njoftimin e publikuar nga M100 thuhet se presidentja Osmani “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.

Presidentja Vjosa Osmani është nderuar në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – një sinjal i qartë se Kosova i takon familjes dhe vlerave europiane.

Me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme europiane Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.