Ish-ministri i Financave e quan mashtrim optik idenë për përdorimin e parave nga Trusti Pensional

Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka kërkuar nga qeveria Hoti që të mbajnë larg duart nga trusti pensional, kjo pas diskutimeve për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale.

Bislimi përmes një postimi të gjatë në “Facebook”, ka radhitur disa argumente, të cilat sipas tij e shtrembojnë komplet idenë e shfrytëzimit të mjeteve të trustit pensional në përballjen me pasojat e pandemisë.

Sipas tij, Qeveria ka deklaruar se synon ta përdorë këtë instrument për ta rritur kërkesën agregate në vend, pasi siç thotë ai, duke qenë se trusti ka në dispozicion diku 2 miliardë euro, hapja e mundësisë që qytetarët të tërheqin 10% të kursimeve do të mundësonte futjen graduale në treg të një maksimumi prej 200 milionë eurove.

Më tej, ish-ministri ka deklaruar se promovimi i idesë së përdorimit të një pjese të kursimeve pensionale i ngjanë një mashtrimi optik.

Bislimi shtoi se tërheqja e mjeteve nga trusti me kaq lehtësi dërgon një mesazh të keq tek të gjithë “që brengosemi për sigurinë e kursimeve individuale”.

Kjo është komunikata e plotë e Besnik Bislimit:

DUART LARG TRUSTIT PENSIONAL

Qeveria jolegjitime që në ditët e para të saj ka nxjerrë gjysmë informatën mbi mundësinë që një pjesë e kursimeve pensionale të qytetarëve do të mund të viheshin në shfrytëzim si pjesë e pakos qeveritare për t’u përballur me pandeminë COVID 19. Sado e pakuptimtë si ide, e papërpunuar dhe pa asnjë lidhmëri me synimet e deklaruara, megjithatë e njëjta u prezantua si masë e rëndësishme e qeverisë jolegjitime. Plasimi i idesë pa asnjë analizë dhe asnjë dakordim u vërejte që në start; në fillim u tha që qytetarët do të tërheqin deri në 20% të kursimeve të tyre në dy rata, e kjo pastaj do të kompensohej nga qeveria (pas tri, pas pesë apo pas tri deri në pesë vite), pastaj u tha vetëm 10%; për të modifikuar pastaj me përshkallëzimin e shumave që do të kompensoheshin nga qeveria. Jo edhe që luan ndonjë rol mungesa e analizës dhe dakordimit, por kjo më tepër si indikator i fuqishëm i demonstrimit të pafuqisë dhe padijes së kësaj qeverie ilegjitime; pafuqia e së cilës më së miri u shpërfaqë me zhvendosjen e shpejtë të Kosovës nga lista e vendeve më të suksesshme në luftimin e pandemisë në top listën e vendeve më të rrezikuara nga ripërhapja e pakontrolluar e virusit.

Më poshtë dua të radhisë disa argumentime që e devalvojnë komplet idenë e shfrytëzimit të mjeteve të trustit pensional në përballjen me pasojat e pandemisë:

  1. Mjetet e deponuara në llogaritë e trustit pensional derdhen në llogari individuale dhe menaxhohen nga një institucion apo fond, të cilin ligji e klasifikon si person juridik të pavarur. Pra janë mjete personale të qytetarëve e që menaxhohen nga një fond krejtësisht i pavarur nga qeveria. Rrjedhimisht të fusësh duart në mjetet e fondit është ngjashëm me futjen e duarve nëpër xhepat privat të qytetarëve. Këta të dytët njihen anekënd me emrin hajdutë. Bazamenti i funksionimit të këtyre llogarive dhe kësaj forme të mbulimit të kostos së pleqërisë qëndron në besimin e qytetarëve që mjetet janë të tyre dhe që askush (madje as qeveria) nuk mund të shërbehet me to për të zgjidhur problemet e saj.
  2. Qeveria ka deklaruar se synon ta përdorë këtë instrument për ta rritur kërkesën agregate në vend. Duke qenë se trusti ka në dispozicion diku 2 miliardë euro, hapja e mundësisë që qytetarët të tërheqin 10% të kursimeve do të mundësonte futjen graduale në treg të një maksimumi prej 200 milionë eurove. Bashkë me premtimin që pastaj kjo shumë do të kthehej në llogaritë individuale pas tre apo pesë vjetëve, kjo mundësi në fakt përbën rritje të menjëhershme të borxhit publik prej 3% të GDP-së apo 200 milionë eurove shtesë. Krahas huazimeve shtesë për të financuar pakon emergjente dhe atë fiskale, borxhi publik do të rritej me një ritëm të shpejtë dhe të panevojshëm.
  3. Sipas statistikave të trustit pensional të Kosovës, Brenda këtij institucioni ekzistojnë afërsisht 630.000 llogari të hapura, edhe pse gati gjysma e tyre momentalisht janë joaktive. Nga këto 630.000 llogari, mbi 80% e tyre apo rreth 503.000 llogari disponojnë vetëm me mesatarisht 1.100 euro kursime (dikur 300.000 i kanë në mesatare më pak 400 euro). Kjo nënkupton që diku 500.000 individë do të përfitoinë më pak se 110 euro nga kjo masë (kurse 300.000 prej tyre në mesatare vetëm 35 euro). Se si mendon qeveria të rritë kërkesën agregate me këtë injeksion, mbetet të argumentohet. Poashtu mbetet të shihet se si do të menaxhonte trusti kompletimin e mbi 600.000 transfereve me më pak se 30 punëtorë është problem i radhës. Problemi bëhet edhe më i theksuar në dritën e shtytjes për kërkesën agregate nëse kjo e drejtë i mohohet atyre që kanë më shumë se 10.000 euro të grumbulluara, meqë kjo është kategoria e cila mbase do të ndikonte në rritjen e kërkesës agregate.
  4. Problemet dhe informatat e paraqitura më lartë tregojnë që kjo masë mund të ketë efekt popullist (mbase në masë të madhe për shkak se mbi 90% e qytetarëve nuk e kanë idenë se sa mjete i kanë të akumuluara në trust), por assesi jo në rritjen e kërkesës agregate. Për më tepër, një intervenim i tillë do të ishte ndërhyrja më regresive e miistrisë në ekonomi, meqë pjesa dërmuese e pronarëve të llogarive bankare do të përfitonin shumë pak, e pjesa më e madhe e qytetarëve nuk do të përfitonin aspak. Përfituesit kryesor (në rast se lejohen të tërheqin mjetet e tyre) do të ishin ato kategori që kanë paga të larta dhe rrjedhimisht kanë akumuluar shuma më të mëdha në llogaritë e tyre individuale. Sado paradoksale që duket, kjo ide e “akademikëve” në rrafshin ekonomik është edhe më inferiore se margaritari i propozuar nga AAK (margaritar sepse kërkon 0% analizë dhe 0% njohuri ekonomike) për ndarjen e një shumë fikse prej 100 eurosh për secilin qytetarë. Madje edhe kjo (anti)masë do të prodhonte efekt më të ndjeshëm në ekonomi se ideja “akademike” e keqpërdorimit të trustit.
  5. Kërkesa agregate është me përfitim për ekonominë vetëm nëse proporcioni i artë i kësaj rritje kanalizohet drejt prodhimeve vendore. Për të mundësuar këtë ndikim, ndërhyrja e qeverisë do të duhej të orientohet drejt atyre amvisërive që mbiproporcionalisht konsumojnë prodhime vendore (e që në rastin e Kosovës nënkupton prodhime bazike). Në këtë kontekst, përdorimi i databazës apo mostrës së trustit pensional është në versionin më optimal i gabueshëm. Databaza tjera si p.sh. ajo e regjistrit të të papunëse, përfituesve të ndihmave sociale, apo pensioneve bazike janë shumë më të përdorueshme dhe më me leverdi për prodhuesit vendor.
  6. Promovimi i idesë së përdorimit të një pjese të kursimeve pensionale i ngjanë një mashtrimi optik. Qeveria në fakt po i thotë qytetarëve, merrni ju mjetet e kursimeve pensionale, e unë pastaj pas tri viteve i kthej në llogaritë tuaja të njëjtat. Ky kthim do të ishte i mundshëm vetëm në ndonjërin nga këto tri versione (ose kombinim i tyre): ulja e shpenzimeve publike, rritja e tatimeve, apo rritja borxhit publik). Në rastin e Kosovës, me siguri se është menduar opsioni i tretë. Por pse do të ishte ky një mashtrim optik? Fillimisht qeveria po i ofron qytetarëve shfrytëzimin e mjeteve nga llogaritë individuale (që janë private) duke u premtuar që të njëjtat do t’i kompensojë duke i marrë në të ardhmen sërish nga i njëjti qytetarë ( një lloj zhvendosjeje inter-temporale e konsumit nga e ardhmja në të tashmen). Së dyti qeveria po u thotë qytetarëve që mund të përdorin kursimet e tyre (që kanë një kthim solid në baza vjetore) dhe në këmbim do të marrin obligimin që në vend të kthimit të paguajnë interesin (kamatën) për borxhin e shtuar publik. Dhe së treti qeveria po premton diçka që assesi nuk mund ta përmbush, meqë gjasat që kjo qeveri të jetë në detyrë pas tri apo pesë vjetëve është inekzistente. Çka nëse qeveria e radhës vendosë të injorojë këtë vendim, me arsyetimin se nuk e ka ndërmend të financojë manipulimet për interes politik të ish qeverisë. Ku do t’i kërkonin qytetarët mjetet e tyre në këtë rast?
  7. Derdhja e mjeteve në llogaritë individuale të trustit pensional nuk është derdhje vullnetare por është obligative. Një rregullim i tillë është i domosdoshëm, nisur nga miopia e qytetarëve të cilët zakonisht nënvlerësojnë riskun e ekspozimit të varfërisë në moshën e pleqërisë. Për të evituar skenarë të tillë ku individët duke mos akumuluar kursime private, promovohen në barrë shtesë për sektorin publik në moshën e pleqërisë, sistemi i obligon ata që të ndajnë mjete secilin muaj që ata gjenerojnë të ardhura personale. Kjo pastaj shoqërohet me premtimin se të njëjtat mjete do të menaxhohen me nikoqirllëk dhe me synim primar ruajtjen e sigurisë së tyre. Në këtë rast, qeveria, qoftë edhe vetëm përmes ngritjes së idesë së përdorimit të këtyre mjeteve, ka atakuar si idenë primare që qëndron mbrapa skemave të tilla, ashtu edhe mbi besimin që kanë qytetarët në sigurinë e mjeteve në llogaritë e tyre individuale. Mesazhi i qeverisë është që këto llogari shumë lehtë kalojnë në llogari publike, ku qeveria shërbehet me to ngjashëm siç shërbehet secili prej nesh në vetëshërbim. Kjo në ekonomiks njihet me termin Inkonsistenca kohore, që në termë të thjeshtëzuar nënkupton sakrifikim të interesave afatgjatë me qëllim të arritjes së një përfitimi të vogël afatshkurtër. Cili do të ishte motivi i qytetarëve për formalizim të mëtejmë dhe derdhje të mjeteve në këto llogari nëse qeveria kaq lehtë i rrezikon këto kursime.
  8. Tërheqja e mjeteve nga trusti me kaq lehtësi dërgon një mesazh të keq tek të gjithë ne që brengosemi për sigurinë e kursimeve tona individuale. Në një kontekst të tillë edhe pavarësia menaxhuese e trustit ndihet e atakuar, e kjo pastaj shumë lehtë mund të përkthehet në performancë nën optimale në plasimin e mjeteve të fondit. Rezultati final do të ishte ulja e përfitimeve të secilit prej nesh në momentin e pensionimit, që nënkupton që papërgjegjësia momentale e qeverisë mund të prodhojë dëme afatgjata për secilin pensionist, përfshirë këtu edhe ata që vendosin të mos e shfrytëzojnë këtë mundësi tani.

Si përfundim, qeveria JOlegjitime, për aq kohë sa vazhdon të qëndrojë nëpër zyrat e saj, do duhet të kërkonte mekanizëm alternative si për rritjen e kërkesës agregate ashtu edhe për financimin e instrumentit. Nëse duhet që qytetarët të kenë mjete shtesë për të shtytur kërkesën agregate 9për prodhime vendore), atëherë rritja e kreditimit me kushte të volitshme (dhe e financuar përmes huamarrjes publike) është opsion shumë më superior. Futja e duarve në mjetet e trustit në anën tjetër është mekanizëm i paligjshëm, vështirë i administrueshëm, instrument regresiv, pa korelacion me synimin e deklaruar; përbën iluzion optik. jo konsistent në rrafshin kohor dhe me pasoja afatgjate detrimentale për shëndetin e trustit pensional të vendit.