Ish-ministri i arrestuar për përdorim armësh, thotë se u telefonua nga Ramush Haradinaj

Ish ministri Rasim Demiri i cili gjatë ditës ishte arrestuar me dyshimet për përdorim të armës në një paraqitje publike ka mohuar të ketë të bëjë me këtë vepër.

Ai ka thënë se nuk ka lidhje me rastin ndërsa është shprehur se Ramush Haradinaj e ka telefonuar pak minuta pasi janë publikuar lajmet për arrestimin e tij.

Rasim Demiri në një video Live në Facebook-un e tij ka thënë se pas publikimeve të informacioneve ish kryeministri Ramush Haradinaj e ka thirrë në telefon për ta pyetur për rastin.

“Po ju drejtohem për t ‘ju njoftuar për disa lajme të rreme për të cialt sapo u njoftova, por vet nuk arrita ti lexoj, e i pari që më ka thirre ishte ish – kryeministri Ramush Haradinaj që të më pyet drejtpërdrejt për disa lajme për arrestimin tim “ ka thënë Demiri. Ai ka thënë se nuk ka asgjë të bëjë me rastin dhe është në shtëpi.

“Shfrytëzoj mundësinë që t ‘ju njoftoj se kjo është një dezinformatë e pastër, që nuk kam asnjë lidhje për rastin, andaj po e shfrytëzoj rastin tju njoftoj se momentalisht jam në shtëpi dhe respektoj vendimet e Qeverisë kur është në pyetje ora policore, dhe kur është në pyejte apeli ti qeverisë që të qëndrojmë në shtëpi “ ka thënë Demiri.

Rasim Demiri, që sot është deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia VAKAT, është arrestuar nga Policia pasi është hasur në shoqërim të një personi, i cili po barte një pushkë dhjetëshe.

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, në një bisedë për KALLXO.com ka sqaruar se Demiri dyshohet se ka shtënë në shenjë me armën e konfiskuar.

“Ai është duke u ndjekur për gjuajtje me armë ndërsa shoqëruesi i tij për armëmbajtje pa leje”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Dy të dyshuarit janë hasur nga Policia në fshatin Pouskë të Prizrenit ndërsa janë liruar në procedurë të rregullt pas arrestimit.

Rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, përderisa një patrullë policore kishte hasur në dy persona të dyshuar në posedim të armës.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren Shaban Osmanollaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se janë arrestuar dy persona në një fshat në afërsi të Prizrenit. Të njëjti po dyshohen për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Që të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa pushka gjysmë-automatike është sekuestruar.

KALLXO.com ka tentuar të flasë me ish-ministrin Demiri por ai ka qenë i paqasshëm në telefonin e tij.