Ish-ministri Çeku: Kemi pasur problem me inkasimin, qytetarët nuk e paguanin rrymën

Ish-ministri i Energjisë në përudhën e viteve 2006-2008, Ethehm Çeku ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për Energji.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike është duke intervistuar anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008.

Në pyetjen e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj se cilat kanë qenë kompetencat e ish-ministrit Çeku si anëtar i Bordit të KEK-ut në raport me ndërkombëtarët.

Lidhur me këtë, Çeku tha se Bordi i KEK-ut në atë kohë ka pasur më shumë rol moral sesa praktik.

“Po të kishim kompetencë, sigurtë situata energjetike s’do të ishte kjo që është sot. Ne kemi pasur më shume një rol moral sesa praktik. Të gjitha kompetencat i ka pasur përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara dhe AKM (Agjencia Kosovare e Mirëbesimit)” – ka thënë ai.

Çeku gjatë intervistimit tha se në atë kohë në sektorin e energjisë ka pas shumë zhvillime dinamike.

“Në atë kohë u dizajnua projekti për termocentralin Kosova e re. U krijua një fushatë kundër termocentralit, veçanërisht kundër linjitit. Shumë njerëz që merreshin me sektorin për Kosovën A, thoshin se duhet të marrim një bager dhe ta rrafshojnë meqë mendonin se ndotja ishte tepër e madhe” – tha ai.

Çeku ka shtuar edhe se në atë kohë inkasomi ka qenë një problem, pasi nuk paguhej energjia elektrike.

“Ndërkombëtaret kërkonin të blinin energji, buxheti ishte i varfër. Edhe inkasimet kanë qenë problem, njerëzit nuk e paguanin energjinë” – ka thënë ai.

Sipas ish-ministrit Çeku, “është e dhimbshme që një vend me miliona tonë linjit, mos të ndërtoj një termocentral”.