Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimim e pandemisë. Dëshmitar: Arben Vitia, ish ministër i Shëndetësisë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-ministri Arben Vitia jep detaje për 1.000 testet për COVID-19 nga Serbia

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë detaje për pranimin e 1.000 testeve për COVID-19 nga Serbia në kohë të pandemisë.

Vitia ka bërë të ditur procedurën e ardhjes së 1.000 testeve në Kosovë.

“Jemi dakorduar që ne të dërgojmë një sasi prej 500 mijë euro në Luginën e Preshevës. Ministri i Shëndetësisë në Serbi ka ofruar 1.000 teste që t’i sjell në Republikën e Kosoës, do të jenë teste të cilat nuk kanë karakter etnik dhe kanë shkuar në Institutin Publik”, ka thënë Vitia.

Tutje ai ka bërë të ditur se me ministrin e Shëndetësisë të Serbisë ka komunikuar përmes konferencës virtuale të organizuar për vendet e rajonit nga gjenerali i KFOR-it, Michele Rissi.

Vitia ka treguar edhe për komunikimin që ka pasur me vendet e rajonit.

“Ne kemi qenë në diskutime me të gjithë ministrat e rajonit, me ministrin e Republikës së Shqipërisë kanë qenë dy herë në javë, me ministrin e Maqedonisë kanë qenë 4-5 telefonata, me ministrin nga Republika e Malit të Zi kam pasur një telefonatë, i vetmi që nuk kam pasur asnjë telefonatë ka qenë ministri i Serbisë”, ka thënë Vitia.

Sot për të dytën ditë me radhë po raportohet në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e COVID-19.

Gjatë raportimit, Vitia ka treguar edhe pse nuk ia kishte dorëzuar detyrën ministrit Zemaj.