Foto: Xhevdet Qeriqi/ Facebook

Ish-luftëtarit të UÇK-së i keqpërdoret emri, kërkoheshin para në emër të tij

Xhevdet Qeriqi nga fshati Sllatinë e Madhe është kryetar i Shoqatës së Invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Fushë Kosovë.

Së fundi ai ka qenë pre e keqpërdorimit të emrit të tij nga një person i dyshuar, i cili ka mashtruar disa qytetarë me qëllim të përfitimit të parave.

Qeriqi ka treguar për KALLXO.com se si i është keqpërdorur emri dhe si e ka zbuluar rastin.

“Një person ka kërkuar para prej njerëzve duke u thirrur edhe në emrin tim.  Më datë 15 korrik të këtij viti një koleg i imi në punë ka marr informacion që një person ka keqpërdorur emrin tim së paku në një rast. Kam biseduar edhe me viktimat, më kanë treguar se si janë mashtruar. Kam kërkuar që ata ta thërrasin personin që i ka mashtruar, por ai tash e ka mbyllur numrin e telefonit”, ka thënë ai.

Ish-luftëtari i UÇK-së ka shtuar se me të kuptuar ngjarjen ka shkuar në Polici, së bashku me viktimat dhe e ka denoncuar rastin në fjalë.

“Unë nuk po e njoh atë person, as nuk kam diskutuar me të asgjë. Është e çuditshme, kjo më ka ndodhë për herë të parë në jetën time. Ai iu ka marr para viktimave”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Qeriqi ka deklaruar se nuk ka informacione se sa është shuma e parave që i dyshuari ka përfituar nga qytetarët, pasi siç thotë ai, është prekur nga rasti dhe nuk ka kërkuar të dijë këtë detaj nga viktimat, por vetëm të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com ka thënë se një i dyshuar është identifikuar, ndërkohë që po punohet për lokalizimin e vendndodhjes së tij.

“Rasti është denoncuar në polici më datë 15.07.2021 nga ana e ankuesve, dhe në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim për veprën penale  ‘Mashtrim’. Nga një hetim preliminar që policia i ka bërë rrethanave të rastit, një i dyshuar është identifikuar, ndërkohë që po punohet për lokalizimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës në Prishtinë, më 2 gusht 2021.