Jetullah Krasniqi. Foto: Facebook

Ish luftëtari i UÇK-së ftohet për intervistë në Hagë

Jetullah Krasniqi, ish luftëtar i UÇK-së, përmes një njoftimi ka treguar se është thirrur nga Prokuroria e Specializuar për të dhënë dëshmi rreth shërbimit të tij në UÇK.

Jetullah Krasniqi ka vendosur që t’i përgjigjet pozitivisht kësaj thirrjeje edhe pse e konsideron Gjykatën Speciale si të njëanshme dhe një etnike.

“Si sot ashtu edhe dje para 20 viteve nuk kemi asgjë për të fshehur, nuk kemi asgjë për tu turpëruar”, tha Krasniqi përmes një njoftimi në Facebook.

“Është e tmerrshme që ne edhe pas 20 vitesh vazhdojmë të përballemi me drejtësinë mbi bazën e akuzave të ngjarjeve të trilluara nga një Alfred Hickok i kohës moderne siç ishte Dick Marty’’, deklaroi Jetullah Krasniqi në njoftim.

“Ndërsa për kriminelet te cilët vranë e masakruan mbi 10 mijë civilë shqiptarë, duke rrafshuar me tokë fshatra e qytete të tera vazhdojnë të shëtiten të lirë dhe të pashqetësuar”, shkroi ai.

Sipas Krasniqit, qëllimi i këtyre thirrje ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve tjerë të UÇK-së është “denigrimi i luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit për lirinë”.

‘Askush nuk do të mund të na sfidojë krenarinë që kemi për luftën e lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorët e kombit”, tha Jetullah Krasniqi.