Ish-luftëtari i UÇK-së dërgohet në Hagë

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Adem Zogjani, sipas djalit të tij, Liridonit, sot është dërguar në Hagë nga EULEX-i.

Sipas Liridon Zogjanit, babai i tij fillimisht është ftuar në zyret e misionit të EULEX-it, e më pas nga atje është dërguar për në Hagë, pa e ditur se për çfarë arsye.

“Babi ka qenë i arrestuar disa herë në vitet e 90-ta nga sigurimi serb, duke ia pamundësuar jetën dhe punën në shtëpimë e tij. Pasi që nuk dihej më për fatin e vëllezërve të tij të arrestuar nga regjimi serb, babi kalon në zonën e luftës, respektivisht në SHP të UÇK-së”, ka bërë të ditur Liridon Zogjani përmes ‘Facebook’.

Adem Zogjani pas luftës ka qenë kryenispektor i Tatimeve, më pas Auditor në Qeverinë e Kosovës, e më pas ka punuar në sektorin privat si ekspert i ekonomisë dhe financave.

Ai ka qenë edhe kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës. Vitin e kaluar ai kishte braktisur partinë e drejtuar nga Kadri Veseli.

“Ne familja jemi shumë krenar për jetën dhe veprën e babait dhe familjes në përgjithësi dhe shpresoj shumë që do të vazhdojmë rrugën e tij. Nga Prokuroria speciale është ftuar për periudhën e luftës. UÇK-ja është krenaria ime që jam kosovar”, thuhet në fund të njoftimit të Liridon Zogjanit në ‘Facebook’.