Ish-liderja e Zelandës së Re Jacinda Ardern shkon në Harvard

Pasi dha dorëheqjen si lidere e Zelandës së Re në fillim të këtij viti, Jacinda Ardern ka zbuluar se ajo po e ndërron profesionin si politikane me një reflektim të qetë brenda akademisë jashtë Zelandës së Re, si përfituese e dy bursave në Universitetin e Harvardit.

Ardern iu ndanë bursa të dyfishta në Shkollën Kennedy të Harvardit, Shkolla e Politikës Publike dhe Qeverisjes së Universitetit, sipas një njoftimi për media nga Harvard University.

Ajo do të shërbejë si Bashkëpunëtore e Drejtuesve Publikë Globalë të Angelopoulos, një program që i targeton liderët e profilit të lartë që kalojnë nga rolet e shërbimit publik dhe Udhëheqëse Hauser në Qendrën e Shkollës për Lidershipin Publik, një program ku udhëheqës nga sektorë të ndryshëm i ndihmojnë studentët dhe fakultetin të ndërtojnë aftësi prej lidershipi.

“Jacinda Ardern i tregoi botës lidership të fortë dhe empatik politik”, ka deklaruar Dekani i Shkollës Kennedy Douglas Elmendorf në njoftimin për shtyp.

“Ajo fitoi respekt përtej brigjeve të vendit të saj dhe do të sjellë njohuri të rëndësishme për studentët tanë dhe do të gjenerojë biseda tejet të rëndësishme rreth zgjedhjeve të politikave publike me të cilat përballen liderët në të gjitha nivelet”.

Në të njëjtën kohë, Ardern do të përfitojë një bursë të veçantë në Qendrën Berkman Klein të Shkollës Juridike të Harvardit për Internet dhe Shoqëri, ku ajo do të studiojë mënyrat për të përmbajtur përmbajtje ekstremiste në internet.

Kur Ardern u bë kryeministre e vendit në vitin 2017 në moshën 37-vjeçare, ajo ishte liderja e tretë femër e Zelandës së Re dhe një nga lideret më të reja në botë. Brenda një viti, ajo u bë liderja e dytë botërore që solli në jetë një fëmijë teksa ishte në detyrë si kryeministre.

Ardern e njoftoi dorëheqjen e saj në janar, duke thënë se ajo nuk kishte më energji të mjaftueshme për të konkurruar në zgjedhje./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala