Pervez Musharraf

Ish-lideri i Pakistanit Pervez Musharraf dënohet me vdekje

Një gjykatë në Islamabad e dënoi me vdekje ish-udhëheqësin ushtarak të Pakistanit, gjeneralin Pervez Musharraf.

Ai u dënua në mungesë, pasi u shpall fajtor për tradhti.

Musharraf ka marrë udhëheqjen e Pakistanit me një grushtshtet në vitin 1999 dhe ka shërbyer si president i këtij vendi nga viti 2001 deri më 2008.

Qysh në vitin 2016, ai ndodhet në Dubai, ku ka shkuar për trajtim mjekësor.

Akuzat për tradhti lidhen me vendimin e Musharrafit më 2007, për të pezulluar kushtetutën dhe për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Ky veprim – me synim të zgjatjes së mandatit të tij – shkaktoi protesta masive dhe Musharraf dha dorëheqje më 2008.

Musharraf është udhëheqësi i parë ushtarak që u gjykua në Pakistan për shkelje të kushtetutës.

Ushtria ka sunduar Pakistanin për pothuajse gjysmën e kohës prejse është pavarësuar nga Britania, më 1947. /REL