Foto: KALLXO.com

Ish-kryetari i Leposaviqit: “Lus Gjykatën të më lirojë, unë nuk jam fajtor, ky është proces politik”

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, dhe 13 të akuzuarve të tjerë, të cilët po akuzohen për krim të organizuar, janë dhënë fjalët përfundimtare.

Në seancën e datës 02.12.2024, në fjalën përfundimtare, i akuzuari Jabllanoviq  tha që nuk është e vërtetë  që i ka pranuar në punë të akuzuarit dhe që ka krijuar grupin kriminal, duke shtuar se të akuzuarit janë pranuar në punë sipas konkursit në vitin 2016.

Tutje Jabllanoviq tha se Komuna e Leposaviqit nuk ka pasur xhirollogari, vula dhe deponime të nënshkrimeve si komunat e tjera.

“Nuk ndihem aspak fajtor sepse nuk e kam bërë asnjë vepër penale, sepse funksionimi i Komunës nuk ka qenë normal si funksionimi i komunave të tjera, vetëm se në pajtim me ministritë dhe Qeverinë, as nuk kemi pasur xhirollogari, as vula, as deponime të nënshkrimeve” – tha Jabllanoviq.

“E lus Gjykatën të më lirojë, unë me të vërtetë nuk jam fajtor, ky është proces politik” – shtoi tutje Jabllanoviq.

Paraprakisht fjalën përfundimtare e ka paraqitur prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova, të cilën e dorëzoi në formë të shkruar dhe të njëjtën e elaboroi.

Prokurorja Bina-Rugova në fjalën përfundimtare tha se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të mbrojtjes së të akuzuarve është e qartë se kjo çështje penale është shembull tipik i veprimtarisë së një grupi kriminal.

“Konsiderojmë që pas administrimit të të gjitha provave dhe dëgjimit të mbrojtjes të cilën të akuzuarit e kanë paraqitur, mendoj se është plotësisht e qartë për të gjithë neve se kjo çështje penale është një shembull tipik i veprimtarisë së një grupi kriminal, në të cilin personat zyrtarë keqpërdorin pozitat e tyre në mënyrë të paskrupullt, për të përvetësuar sa më shumë para për interesat e tyre personale”- tha prokurorja Bina-Rugova.

“Gjatë gjykimit shpesh kemi pasur rastin të dëgjojmë se Lista Serbe është si arsye për inicimin e procedurës penale kundër të pandehurve. Këtë pretendim e konsiderojmë si të pabazuar dhe plotësisht irelevant…”- shtoi tutje Bina-Rugova.

Tutje në fjalën përfundimtare prokurorja Bina-Rugova tha për të akuzuarin Jabllanoviq se vendimet e tij kanë qenë gjysmë-private.

“Vendimet e të akuzuarit Jabllanoviq i quajmë gjysmë-private, sepse përveç faktit se nuk kanë pasur as logon  e Komunës, as vulën, ato përfaqësojnë vullnetin personal të të akuzuarit sepse janë marrë me procedurë të kundërligjshëm nga personi që nuk ka kompetenca për vendime të tilla”- tha tutje Bina-Rugova.

E njëjta në fjalën përfundimtare kërkoi nga Gjykata që të pandehurit të dënohen sipas ligjit.

Tutje fjalën përfundimtare e paraqiti mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi.

Avokati Gashi tha se e kundërshton fjalën përfundimtare të prokurores dhe i propozoi Gjykatës që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Fjalën përfundimtare me shkrim e dorëzoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Bejta, avokati Ekrem Salihu, dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.

Avokati Salihu tha se në shqyrtim gjyqësor me asnjë provë nuk është dëshmuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Tutje ai i propozoi Gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.

I akuzuari Haxhi Bejta në fjalën përfundimtare tha se nuk ka lidhje me akuzën që i ngarkohet. I njëjti tha së ka punuar sipas Ligjit të prokurimit dhe ligjit të Kosovës.

Tutje, Haxhi Bejta tha së është i pafajshëm dhe kërkoi nga Gjykata që ta lirojë nga akuza.

Fjalën përfundimtare e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandar Ackoviq, avokati Florent Latifaj, i cili kërkoi nga Gjykata ta lirojë të mbrojturin e tij.

“Siç e dëgjuat edhe ju vetë në fjalën përmbyllëse të prokurorisë, nuk pat ndonjë elaborim të veprimeve inkriminuese të Alkeksandar Ackoviqit. Ju lus që përmes provave të njëjtin ta lironi nga akuzat”- tha avokati Latifaj.

Ndërsa i akuzuari Ackoviq deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Haki Haxhiu, avokati Ahmet Arifi, në formë të shkruar, ndërsa i akuzuari Haxhiu tha se e ndjen veten të pafajshëm në çdo pikë të aktakuzës.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Mehdi Haxhiu, avokati Xhafer Tahiri, tha se tri provat e marra nga Prokuroria e në të cilat bazohet aktakuza janë në kundërshtim me nenet e KPRK-së. Ai shtoi se të akuzuarit duhet të lirohen në mungesë të provave.

Tutje, Xhafer Tahiri tha se shpreson që Gjykata të ketë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandar Kostiq, avokati Avdi Dinaj, deklaroi se mbetet pranë fjalës së dorëzuar me shkrim, me propozimin që i mbrojturi i tij të lirohet në mungesë të provave.

I akuzuari Kostiq deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Në fjalën përfundimtare edhe mbrojtësja e të akuzuarit Çedomir Timotijeviq, avokatja Greta Ragipi, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe kërkoi nga Gjykata  që të mbrojturin e saj ta shpallë të pafajshëm duke shtuar se asnjë provë nga Prokuroria Speciale nuk e mbështet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm akuzën ndaj tij.

I akuzuarit Timotijeviq deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokates së tij.

Aktgjykim lirues kërkoi nga Gjykata edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mensur Rama, avokati Lutfi Tahiri.

Tahiri tha se aktakuzën e Prokurorisë Speciale e kundërshton në tërësi dhe i kërkoi Gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza në mungesë të provave.

I akuzuari Rama tha se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.

Tutje, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Banoviq, avokati Arianit Koci, i cili fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe tha se i mbështet të gjitha qëndrimet juridike të kolegëve që i kanë thënë në seancë para tij.

Tutje, Koci tha se vendimi Gjykatës mund të ndikojë në politikë.

“Politika nuk ish dashtë dhe nuk mundet të ndikojë në vendimin e Gjykatës, e sidomos në trupin gjykues profesional siç jeni ju, por vendimi juaj gjyqësor mundet shumë të ndikojë në politikë. Prej vendimit të juaj varet se a do të integrohen serbët apo jo në sistemin kosovar”-tha tutje avokati Koci.

Ndërsa i akuzuari Banoviq tha se prej vitit 2016 kishte punuar në Komunën e Leposaviqit, ku, sipas tij, ishte pranuar sipas konkursit. Tutje ai shtoi se në tërësi kishte punuar sipas ligjit të Kosovës.

Në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Musliu, avokati Fisnik Sogojeva, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, dhe deklaroi se mbesin në tërësi pranë deklarimeve të mëhershme dhe kërkoi nga gjykata që për të mbrojturin e tij të nxirret aktgjykim lirues.

I akuzuari Musliu tha se akuza nga Prokuroria që e përfshin atë në grupin kriminal është fyerje e madhe ndaj tij, integritetit të tij personal dhe familjar. Ai kërkoi nga Gjykata që ta shpallë të pafajshëm, duke shtuar se është 100% i pafajshëm për akuzën me të cilën e ngarkon Prokuroria Speciale.

Tutje, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Boban Millovanoviq, avokati Faruk Korenica, i propozoi Gjykatës që i mbrojturi e tij të lirohet në mungesë të provave.

I akuzuari Millovanoviq deklaroi se e mbështet avokatin e tij.

Fjalën përfundimtare në formë të shkruar e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl Ferizi, avokati Imer Beka.

Ngjashëm e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mirosllav Ivanoviq, avokati Agim Lushtaj dhe të njëjtit deklaruan se mbesin në tërësi pranë asaj.

Mbrojtësja e të akuzuarit Ivan Kadiq, avokatja Kimete Krasniqi, tha se fjalën përfundimtare e ka dorëzuar përmes email-it, dhe të njëjtën do t’ia dorëzojë Gjykatës në ditët në vijim.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet brenda kësaj jave.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

Çfarë thotë aktakuza?

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin dhe Boban Millovanoviqin se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti u ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B., por Gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj, pasi ajo ka vdekur.