Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Bedri dhe Albian Nika. FOTO: Krenare Ferati - KALLXO.com - 13.06.2024

Ish-kryetari i LDK-së në Drenas, Bedri Nika dhe nipi i tij sërish shpallen fajtor për shpëlarje parash

Ish-kryetari i LDK-së në Drenas, Bedri Nika dhe nipi i tij Albian Nika, të akuzuar për shpëlarje të parave janë gjetur fajtor për herën e dytë nga Gjykata e Prishtinës.

Bedri Nika është dënuar me 1 vit dënim me burgim dhe 15 mijë euro dënim me gjobë, ndërsa nipi i tij është dënuar me 6 muaj dënim me burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Albian Nikës i është dhënë mundësia që dënimin me burgim prej 6 muajsh ta shndërroj në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro

Gjykata ka obliguar të akuzuarit që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin palës së dëmtuar “NLB Bankës” rreth 5,900 euro për dëmin e shkaktuar.

Gjykata tutje ka refuzuar pikën e aktakuzës me të cilën Bedri Nika akuzohej deri në fjalën përfundimtare edhe për veprën penale blerja, pranimi i sendeve të përfituara nga vepra penale, pasi prokurori special ishte tërhequr nga akuza për këtë vepër ndaj ish kryetarit të LDK-së në Drenas.

Vendimin për këtë rast e mori kryetarja e trupit Gjykues, Violeta Namani me anëtarët Arben Hoti dhe Lutfi Shala.

Prezent në shpallje të aktgjykimit ishte vetëm i akuzuari, Bedri Nika me avokatin e tij Granit Hadërgjonaj, ndërsa i akuzuari tjetër nuk ka prezentuar.

Shkalla e parë Bedri Nikën për pastrim të parave e kishte dënuar me 1 vit dënim me burgim dhe 15 mijë euro dënim me gjobë, ndërsa Albian Nikën e kishte dënuar për të njëjtën vepër me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Rastin në pikën zero ishte kthyer nga Gjykata Supreme.

Në fjalën përfundimtare, prokurori special, Milot Krasniqi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e mëhershëm, duke shtuar se për veprën penale – blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale për të akuzuarin Bedri Nika tërhiqet nga akuza pasi veprimet e kësaj vepre konsumohen në veprën penale të shpëlarjes së parave për të cilën ngarkohet nga Prokuroria.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Bedri Nika në intervalin kohor 21 shkurt 2021 e deri më 11 mars 2021, në vend të panjohur, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht ka siguruar para të gatshme dhe atë 118 bankënota në vlerë 50 euro, nga një burim i panjohur.

Në aktakuzë thuhet se më pas të njëjtat para janë prekur nga një reagjent kimik dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit Albian Nika dhe vajzës së tij, me udhëzimin dhe kërkesën për t’i deponuar në disa raste të ndara në llogarinë e tyre bankare në bankën NLB në Drenas.

Në aktakuzë thuhet se këto bankënota janë vënë në qarkullim si para standarde, duke qenë në dijeni se të njëjtat janë përfituar nga aktivitete kriminale.

Sipas aktakuzës, në datat e lartcekura, Bedri Nika ia jep nipit të tij Albian Nikës dhe vajzës së tij udhëzimin dhe kërkesën që të njëjtat përmes llogarive të tyre bankare në bankën NLB t’i deponojnë përmes bankomateve (ATM) e më pas duke shfrytëzuar bankomatët e tjerë të të njëjtës bankë t’i tërheqë në para të gatshme.

Pas këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, i pandehuri Albian Nika, menjëherë i ka tërhequr paratë nga bankomatet tërheqëse në shumën e njëjtë dhe të njëjtat ia ka dorëzuar të pandehurit Bedri Nika.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i njëjti ka provuar që ta mashtrojë bankën dhe të maskojë origjinën e vërtetë të parave, duke i shkaktuar dëm bankës NLB në Drenas, me vlerën e parave të deponuara dhe tërhequra.