Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, tregon historinë e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës Ilaz Ramajli, në kuadër të shënimit të 31 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 ka shpalosur historinë e shpalljes së kësaj deklarate.

Ai tha se më 2 korrik 1990 delegatët nuk ishin lejuar të hyjnë në Kuvend nga policia serbe, që sipas tij vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovë.

“Para 31 vitesh të gjithë delegatët e kohë kishin ardhë për mbledhjen e Kuvendit e cila ishte caktuar rregullisht por dyert e Kuvendit ishin mbyll me urdhër të kryetarit të atë hershëm të Kuvendit dhe gjitha hapësirat e Kuvendit dhe organeve të tjera qeveritare në këtë ndërtesë ishin vendosur në kontroll të plotë të njësive të policisë serbe e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovën e atyre ditëve të trazuara”, tha ai.

Ramajli, tha se delegatët kanë vendosur që deklaratën ta miratojnë para dyerve të Kuvendit nën qiell të hapur.

“Përkundër mbylljes së dyerve delegatët duke qenë të vendosur për të quar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës para dyerve të Kuvendit nën qiellin e hapur e mbajtën mbledhjen e 2 korrikut dhe shpallën Deklaratën Kushtetuese. Mbledhjen e udhëhoqi Bujar Gjurgjealo dhe deklaratën e lexoi Muharrem Shabani”, tha Ramajli

Ramajli tha se shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut i kishin prirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë me kërkesat gjithë popullore për mëvetësi, liri dhe barazi.

Në seancë të gjithë së bashku e kanë shikuar një film dokumentar të realizuar nga gazetari Nuhi Bytyçi me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i cili i kushtohet autorit të Deklaratës Kushtetuese të dy korrikut, profesor e akademik Gazmend Zajmi.

Konjufca i ka ftuar të gjithë që të dalin te hyrja e Kuvendit të Kosovës për ta zbuluar një pllakë e cila i kushtohet ngjarjes së rëndësishme 2 korrik 1990.